fbpx

GASHI: SHPEND AHMETI ËSHTË BËRË, SIÇ THOTË POPULLI “SI THIU I PLAGOSUR”

  16 Nov 2017

Sipas asamblistit të LDK-së Agim Gashi, është pikërisht nuhatja e humbjes që do ta pësojë tani në garën për balotazh kryetari në ikje Shpend Ahmeti ajo që po e bën atë dita- ditës më të egër dhe më arrogant, jo vetëm në raport me opinionin publik, por edhe me oponencën politike. “Shpend Ahmeti kohëve të fundit është bërë, siç thotë populli ‘si thiu i plagosur’.

Meqë ai po e sheh disfatën, po e sheh humbjen, po i numëron ditët e fundit, po përpiqet të harxhojë energjinë e fundit të propagandës për të ruajtur ndikimin dhe fuqinë e votës, por tanimë qytetarët e Prishtinës e kanë kuptuar dhe si asnjëherë më parë do ta ndëshkojnë, sepse ai për katër vjet qeverisjeje, nuk bëri asgjë të mirë që do të ndryshonte jetën e qytetarëve dhe do ta ndryshonte kahen e zhvillimit të Komunës së Prishtinës”, tha ai.

” Për katër vjet qeverisjeje, qeveria e Shpend Ahmetit mund të identifikohet me ‘kiflet e famshme dhe shtyllat antiparking’ dhe jo me asgjë tjetër, përpos me propagandë dhe marketing, sepse ky është njeriu më i specializuar në Kosovë për marketingun e gënjeshtrave”, tha Gashi për “Kosova Sot”.

Humbja duket e afërt për Shpend Ahmetin, që dështoi në mandatin e kaluar, ndërsa po përpiqet me propagandë mashtruese, t’i bindë votuesit për një mandat të dytë.