Gara e fortë në Gjakovë, këto janë votat përfundimtare të Mimoza Kusarit
Në Gjakovë, njëra nga komunat më të mëdha të Kosovës, gara për karrigen e kryetarit gjithmonë është e fortë.
Njëjtë ndodhi edhe në dy palë zgjedhjet e fundit ku kishte një përballje në mes të Mimoza Kusari-Lilës që atëherë garonte nga AKR, dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në zgjedhjet e vitit 2013-të, Mimoza Kusari-Lila që atëherë ishte pjesëtare e AKR-së, u përball me Aleancën në Gjakovë dhe kandidatin e atëhershëm, tashmë ministër i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Mirëpo, as AKR-së dhe as AAK-së nuk i mjaftuan votat e raundit të parë për udhëheqje të këtij qyteti në katër vitet e ardhshme.
AKR mori 44.0%, ndërsa AAK 35.7%.
Gara për të parin u vendos në raundin e dytë, kur Kusari-Lila rrëzoi AAK-në në Gjakovë duke marrë 52.4% të votave.
Pas udhëheqjes katër vjeçare në këtë komunë, gjatë mandatit, Kusari-Lila u largua nga AKR, duke krijuar partinë e saj Alternativën, për të garuar kështu edhe për një mandat tjetër si kryetare, tashmë nga radhët e një partie të re.
Kundërshtari i atëhershëm i Kusarit, Pal Lekaj me qeverinë e re Haradinaj ishte emëruar ministër i Infrastrukturës, kështu që në garën e 2017-tës ajo u përball nga AAK me Ardian Gjinin duke shkuar në balotazh, mirëpo kësaj here ajo u radhit e dyta, shkruan Gazeta Blic.
Ardian Gjini nga AAK mori 39.88% të votave duke u radhitur i pari, ndërsa Mimoza Kusari-Lila u radhit e dyta me 32.10%.
Edhe pse Alternativa lidhi koalicion bashkë qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, LDK-në dhe Nismën, AAK shënoi fitore në Gjakovë.
Ardian Gjini i AAK-së e fitoi Gjakovën me 58%, ndërsa Kusari-Lila mori gjithsej 42% të votave.
Për katër vitet e ardhshme Komuna e Gjakovës do të udhëhiqet nga Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa Mimoza Kusari-Lila do të vazhdojë me mandatin e deputetes nga radhët e koalicionit LDK-Alternativa./GazetaBlic