fbpx

Flet vëllai i Molliqajt, tregon disa gjëra për të

  15 Dec 2017

Ish-sekretari i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, ka vendosur të mos u përgjigjet akuzave në rrjetet sociale nga aktivistët e VV-së dhe zyrtarë të saj, por atë po e zëvendëson vëllai i tij, Vloriani. Aktivisti i VV-së nga Tirana, Arbër Zaimi, e quajti Dardanin nihilist e cinik, e Vloriani i ka kthyer njësoj akuzat ndaj vëllait.

Pas emisionit të mbrëmshëm në Klan Kosova, Dardan Molliqaj u sulmua edhe më tej në rrjetet sociale nga aktivistët që përkrahin Albin Kurtin.

Molliqaj tha se ai dallon nga Kurti, ndër të tjera, sepse Bashkimin Kombëtar nuk e sheh nga aspekti folklorik, e për këtë reagoi edhe aktivisti nga Tirana, Arbër Zaimi.

 

“Për cinikun e nihilistin çdo shprehje e dashurisë dhe e besimit (tek një vërtetësi, tek një drejtësi) është patetike ose folklorike”, ka shkruar Zaimi.

Ndërsa Vlorian Molliqaj ka shkruar në Facebook se “servilët e etiketojnë të drejtin si nihilist e cinik, ndërsa i drejti nuk ka nevojë për etiketa për servilët. Ata janë dhe mbesin servile”.

Ky është postimi i plotë i Molliqajt:

Servilët e etiketojnë të drejtin si nihilist e cinik, ndërsa i drejti nuk ka nevojë për etiketa për servilët. Ata janë dhe mbesin servilë ?

Servili nuk është njeri i cili urrehet nga dikush. Mbase atë e urren vetëm servili tjetër, kur sheh që në saje të servilizmit, ka përfituar më shumë se ai. Atë nuk e do dhe nuk e respekton askush. Kuptohet, më së paku ai që e ledhaton.

Në anën tjetër, njeriu i drejtë duhet shumë por edhe urrehet nga disa. Ata që e duan të drejtën e duan edhe atë që e thotë dhe mbron atë. Por, përveç servilëve dhe atyre që iu pengon e drejta, atë mund ta urrejnë edhe disa të cilët ende nuk e kanë kuptuar të vërtetën.

Por herët a vonë e vërteta del në shesh dhe i drejti e fiton edhe mbështetjen e këtyre të fundit. E atë të servilëve dhe të padrejtëve nuk synon ta fitojë ndonjëherë.