fbpx

Flet personi që ja dha 500 euro tupanxhisë për fitoren e Dreshajt

  19 Dec 2017

Zgjedhja e kryetarit të Istogut kaloi nëpër një situatë dramatike, ku herë dilte i pari kandidati i LDK’së, Haki Rugova e herë ai i AAK’së, Gani Dreshaj, duke përfunduar me fitoren e Rugovës, me një rezultat të ngushtë për vetëm 14 vota.

Ajo që mori vëmendjen e opinionit, ishte edhe festa e AAK’së për fitoren e paqenë të Dreshajt, e cila rrodhi si rezultat i një gabimi në procedim të rezultateve nga ana e KQZ’së, që e nxori atë të parin me 52 vota dallim.

E në këtë festë, interesant ishte edhe bakshishi prej 500 euro që dikush i dha tupanxhiut që po përkujdesej për festën e AAK’së të mbajtur në sheshin e Istogut.

 

Lidhur me këtë Gazeta Metro, ka arritur të flas me personin që i kishte dhënë bakshishin tupanxhiut istogas. Ruzhdi Mehmet Shatri, që jeton dhe banon në Zvicër, por që në ditën e zgjedhjeve ishte në Istog, i ka thënë Gazetës Metro, ai bakshish prej 500 euro, nuk ishte kartëmonedhë reale.

“Për hir të së vërtetës, sqaroj opinionin, se unë Ruzhdi Mehmet Shatri, me banim në Zvicër i kam dhënë bakshish tupanxhisë ato 500 euro, që janë paraqitur edhe në media. Por, e vërteta është se ato kanë qenë euro në formë të parave, por letër tualeti, pallomë”, ka thënë Shatri.

 

Ai ka pranuar se tupanat e bëjnë të ndihet i disponuar, por nuk ka mundësi që të u dhurojë më shumë se sa 5 apo 10 euro bakshish.

“Është e vërtetë që tupanat ma ngritin adrenalinën, por nuk e kam mundësinë që tu jap bakshish prej 500 euro. Unë në Kosovë i mbaj 10-15 familje dhe u ndihmoj kur kanë nevojë. Prandaj, kur jam në mesin e festave me tupana, ata i qerasi me 5-10 euro, e jo më shumë. Lus opinionin që të më kuptojnë sepse nuk e kam bërë as për mburrje e as për nënçmim”, ka thënë Shatri. /gazetametro