fbpx

Fjala përfundimtare e Albin Kurtit në gjykimin për gazin lotsjellës në Kuvend, mbajtur më 29 dhjetor 2017

  29 Dec 2017

Fjala përfundimtare e Albin Kurtit në gjykimin për gazin lotsjellës në Kuvend, mbajtur më 29 dhjetor 2017

Të nderuar të pranishëm,

Unë nuk jam mbrojtur në heshtje për një arsye: jo që të mbaj këtu fjalime politike, por që ta kundërshtoj tendencën e prokurorëve që padëgjueshmërinë parlamentare ta degradojnë në krim ordiner. Sepse, shteti demokratik nuk është i kufizueshëm në rendin ligjor. Shteti demokratik porsa reduktohet në rendin ligjor nuk është më demokraci parlamentare por legalizëm autoritarist.

Legalizmi autoritarist heq dorë nga thelbi njerëzor i paqartësisë pikërisht në atë pikë që shteti demokratik kushtetues fiton ushqim nga kjo substancë.

Çdo demokraci kushtetuese që është e sigurtë në vetvete e konsideron mosbindjen qytetare si një komponentë të normalizuar, sepse të nevojshme, të kulturës së saj politike.

Shteti që ka kushtetutë sipas së cilës përkufizohet si republikë demokratike duhet të jetë edhe i obliguar edhe i aftë për justifikim moral e të arsyeshëm, sepse një shtet i këtillë e kërkon bindjen e qytetarëve jo nga frika prej ndëshkimit por nga vullneti i lirë i tyre.

Thelbi i argumentit është ky: në një shtet kushtetues liberal-demokratik, qytetari duhet patjetër ta ketë të mundur që ligjin e miratuar në parlament ta shohë edhe si vepër të vetën. Pra, ndonëse me ligjin mund të lidhesh edhe fare strategjikisht duke e përjetuar atë thjesht si një barrierë në drejtim të caqeve tua strategjike, në një shtet demokratik duhet patjetër të jetë e mundur që qytetari ta shoh veten edhe si autor të tij. Në momentin kur ky presupozim nuk përmbushet nga sistemi ligjor i një vendi, prima facie, kemi një arsye për padëgjueshmëri qytetare. Normalisht, barra e argumentimit bie mbi ata që ftojnë për padëgjueshmëri qytetare, e të cilët duhet të na tregojnë se pse intuitat e tyre morale janë të arsyeshme në rastin konkret. Padëgjueshmëria qytetare, sipas filozofit Jürgen Habermas, edhe mund të shkel ligjin simbolikisht, por kurrsesi të shkaktoj dhunë.

Ndër të tjera, Habermas thotë që padëgjueshmëria qytetare nuk duhet të bëhet një e drejtë e mbrojtur kushtetueshmërisht sepse ashtu e humb kuptimin: padëgjueshmëria qytetare gjithmonë duhet të përfshijë një rrezik për ndërmarrësit e saj. Por, po kaq e rëndësishme për Habermasin është që qëndrimi i shtetit ndaj padëgjueshmërisë qytetare është litmus testi më i mirë i natyrës demokratike të tij; sa më mirëkuptues qëndrimi ndaj padëgjueshmërisë qytetare moralisht të justifikueshme aq më demokratik shteti.

Aksioni ynë moral është i tillë që ka një renditje të presupozuar të gjërave sipas vlerës dhe dobisë. Natyrisht që ne konsiderojmë që truri është më i rëndësishëm sesa zorrët kurse zemra është më e rëndësishme sesa veshkja. Pra, mbrojtja e kushtetutshmërisë dhe demokracisë është më e rëndësishme sesa mosshkelja e ndonjë ligji që do të duhej të na bënte neve të pandehur për kundërvajtje e jo Njësiti i Krimeve të Rënda dhe forcat anti-terror të merren me neve.

Ne si deputetë nuk e kemi vënë në pikëpyetje ligjin si të tillë dhe as tërësinë e ligjeve në Republikën e Kosovës. Ne as që kemi menduar se cilat ligje po i shkelim me aksionin tonë politik sepse preokupimi ynë emergjent ka qenë Republika dhe Kushtetuta, demokracia dhe sovraniteti, të drejtat dhe liritë e qytetarëve, që përbëjnë themelin dhe burimin, thelbin dhe kuptimin e ligjeve, të korpusit të ligjeve, të secilit ligj, madje përfshirë këtu edhe vetë ligjet të cilat prokuroria thotë t’i kemi shkelur.

Vepra për të cilën ne akuzohemi nuk përbën vepër penale, sepse veprimet tona si deputetë, si përfaqësues të popullit, të zgjedhur nga populli, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, janë ndërmarrë, jo vetëm në kuadër por edhe pikërisht sipas fushëveprimit tonë si deputetë, pra jo vetëm si e drejtë e jona por edhe si obligim yni, ashtu siç e shpreh dhe e kërkon Neni 74 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës: “Deputetët e Kuvendit të Kosovës ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Kushtetutë, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit.” Po, pra, ne kemi vepruar në interesin më të mirë të Republikës kur kemi kundërshtuar me vendosmëri ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe ‘Demarkacionin’ me Malin e Zi. Se veprimi ynë ishte në pajtim me Kushtetutën e vërtetoi Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 23.12.2015 që tregoi se ‘Zajednica’ e Serbisë me secilin nga 7 kapitujt e saj nuk është në përputhje me Kushtetutën në plot 23 nene të saj.

Po ashtu, Komisioni Shtetëror aktual për kufijtë me në krye prof. Shpejtim Bulliqin vërtetoi se ‘Demarkacioni’ me Malin e Zi ishte i gabueshëm e i dëmshëm për Kosovën dhe me elemente të veprave penale prej tejkalimit të kompetencave e deri te falsifikimi i hartave. Ne kishim të drejtë në veprimet tona që mbronim Republikën dhe Kushtetutën dhe kjo e drejtë e jona ishte edhe liri edhe detyrë njëkohësisht. Pra, ne do të bënim gabim dhe shkelje të Republikës dhe Kushtetutës po të mos vepronim ashtu siç bëmë duke mbrojtur themelet juridiko-kushtetuese dhe integritetin territorial të shtetit tonë. Paralelisht, ne kemi mbrojtur edhe veten tonë. Këto themele mundësojnë dhe kuptimësojnë edhe profesionin e funksionin tonë si deputetë të Kuvendit. Pa Republikën dhe Kushtetutën, pa rendin juridik e kushtetues, pa integritetin territorial, ne s’mund të ekzistojmë si deputetë. Andaj, veprimi ynë ishte edhe akt i vetëmbrojtjes.

Të nderuar të pranishëm,

Askush asnjëherë nuk është alivanosur në sallën e Kuvendit kur kishte gaz lotsjellës. Unë vetë kam qëndruar më së afërmi gazit lotsjellës dhe më së gjati në sallën me gaz lotsjellës. Ju nuk keni ekspertizë mbi përbërjen e tymit në sallë, ju nuk e keni idenë se çfarë dëmtimi apo jo ka mundur të shkaktojë ai. Kjo është edhe një dëshmi që ky nuk është proces gjykimi, por proces paragjykimi. Prokuroria ka dështuar ta dëshmojë që tymi në sallë ishte gaz lotsjellës.

Në shkresat e lëndës i kemi dy korrespondenca përmes postës elektronike të zyrtarëve të hetuesisë së Policisë së Kosovës, z. Muhamet Rashiti dhe z. Agron Haziri, me ç’rast ky i pari i është drejtuar me disa pyetje këtij të fundit lidhur me mjetet e përdorura në seancën e 8 tetorit 2015 të Kuvendit të Kosovës. Përgjigja zyrtare bazuar në këqyrjen e vendit të ngjarjes ka rezultuar me 3 konstatime që janë përfshirë në këtë korrespondencë: 1. Thuhet se mjeti ka qenë i improvizuar dhe nuk është aktivizuar me metoda standarde (bazuar në video incizimet e publikuar nga mediet), 2. Provat materiale nuk janë gjetur në vendin e ngjarjes dhe 3. Se nuk posedojmë me mjete adekuate për marrjen e mostrave të ajrit.

Mirëpo në përgjigjen e mëtutjeshme zyrtari policor z. Muhamet Rushiti në vazhdimin e përgjigjes konfirmon dy çështje tejet të rëndësishme për këtë rast: 1. Është bërë matja me detektor për Armë Kimike dhe Irritues APD2000 dhe 2. Se nuk ka qenë i mundur përcaktimi i materies me këtë detektor i cili detekton agjentët kimik, ndër ta dhe CS – kloro-benzal-malononitrile shprehur në formulën kimike C10H5ClN2.

Pra, mjeti i përdorur ka qenë tërësisht i përshtatshëm për matjen e materies për të cilën prokuroria ka ngritur aktakuzë – përdorim të armës me aludimin e përdorjes së gazit lotsjellës (CS). Madje, zyrtari policor konfirmon se me matjen e bërë asnjëra nga materiet, përfshirë këtu edhe CS-në (gazin lotsjellës), nuk është vërtetuar prania e këtyre materieve. Për më shumë, në këtë e-mail, zyrtari i PK-së konkludon se gazi lotsjellës ka efekte të menjëhershme dhe të përkohshme siç janë lotimi, djegie, marramendje, acarim në frymëmarrje etj. Gjë që asnjëra nga këto efekte nuk përbën elementet të kërkuara për qëllimin kryesor të armës sipas përkufizimit të KPRK-së, kryerja e sulmit fizik ndaj integritetit fizik te njerëzve ose ndaj pasurisë.

Kur deputetja e akuzuar Albulena Haxhiu, e pyet deputeten dëshmitare të prokurorisë, Flora Brovina, “ju më parë deklaruat se gazi lotsjellës është i rrezikshëm, i dëmshëm, si e bazoni këtë mendim tuajin?”, deputetja Brovina përgjigjet si vijon: “së pari dua të them se unë jam mjeke me profesion, unë jam (marrë?) edhe me të helmuarit e Kosovës në pranverën e vitit 1990 dhe i di reagimet e helmimeve dhe ka helme që ndikojnë në sistemin parasimpatik dhe sidomos ndikojnë tek disa sëmundje kronike anemia, shtatzënia.” Shihni se çka krahason për të dëshmuar kompetencë kjo dëshmitare e prokurorisë!

Gjykatësi Beqir Kalludra si kryesues i trupit gjykues ka qenë shumë më i ashpër kundër neve të pandehurve sesa edhe vetë prokurori Valdet Gashi. Mbase, pikërisht një situatë e këtillë, ku gjyqtari është më negativ ndaj të akuzuarve sesa edhe vetë prokurori si akuzues, është dëshmi që procesi nuk është gjykim i drejtë, sepse s’është i paanshëm e, me gjasë, as i pavarur. Kjo është dëshmuar panumër herë. Ta zëmë, kur e orienton në mënyrë sugjestive, deputeten Blerta Deliu – Kodra që të paraqesë kërkesë pasurore-juridike për kinse lëndimet e shkaktuara, ndërkohë që ajo qartazi as pyetjen tamam s’po e kuptonte. Ose, kur nuk lejoi asnjë, ama bash asnjë dëshmitar të mbrojtjes, pa çka se të gjithë deputetët dëshmitarë të prokurorisë ishin deputetë të pozitës në vitin 2015.

Tre deputetë dëshmitarë thanë se arsyeja e veprimeve tona është ardhja në pushtet e opozitës dhe përmbytja e qeverisë! Shikoni çfarë spekulimi e paragjykimi. Shikoni se sa të ngarkuar politikisht e partiakisht kundër nesh ishin këta deputetë dëshmitarë të njëanshëm në këtë proces të njëanshëm. Ose, kur neve të akuzuarve nuk na lejon të shtrojmë pyetje mbi arsyet e qëllimet e veprimeve kurse dëshmitarin Bekim Haxhiun e lejon të flasë gjerë e gjatë në shfajësimin e tij për familjarin kolaboracionist të Haxhiut, Halit Tërnavcin, dhe, deputetin Nuredin Ibishi për mirënjohjen a dekoratën e Borislav Joviqit. Ose, kur publikisht ka cituar Hitlerin, politikanin më të urryer në historinë e njerëzimit. Unë i përkas Lëvizjes VETËVENDOSJE!, një subjekt ky progresist e socialdemokrat, dhe, thelbësisht antifashist. Nuk po them që gjyqtari duhet të jetë socialdemokrat, por ai s’mund të jetë ekstremist. Unë jam antifashist, nuk mund të më gjykojë simpatizuesi i emblemës së nazi-fashizmit. Atij që është ekstremist unë i dukem ekstremist pikërisht pse jam normal.

Të nderuar të pranishëm,

Në akuzat kundër nesh ka shpifje. Mua askush nuk ma ka dhënë patronin apo bombolën e gazit lotsjellës në Kuvend. Në seancën e 8.10.2015 nga deputetja Albulena Haxhiu nuk kam kërkuar gaz lotsjellës por vezë të prishura dhe ajo m’i ka sjellur. Por, sikurse pipat e uji, as vezët e prishura nuk mjaftuan.

Ne nuk ishim të armatosur. Qeveria me truprojat e saj ishin të armatosur. Ne nuk deshëm të lëndojmë askend. Gazi lotsjellës nuk është armë. Ai nuk po lëndonte askend por po i shpërndante qeveritarët që e kishin lënduar Republikën. Nuk ishim ne deputetët opozitarë të rebeluarit. Përkundrazi. Ne kërkonim që të largoheshin e shpërndaheshin qeveritarët e armatosur me truproja të armatosura e të cilët ishin rebeluar kundër Republikës dhe Kushtetutës, duke u pozicionuar te ‘Zajednica’ e Serbisë e për atë ‘Demarkacionin’ me Malin e Zi. Gazi lotsjellës për herë të parë në histori është përdorur në Luftën e Parë Botërore, për t’i nxjerrur forcat kundërshtare nga istikamet. Ngjashëm, edhe ne po i nxjerrnim qeveritarët kosovarë jashtë istikamit të ‘Zajednicës’ shoviniste të Aleksander Vuçiqit dhe ‘Demarkacionit’ të Murat Mehës që do të na e ndryshonte kufirin.

Gazi lotsjellës, kudo, nuk përdoret për të lënduar fizikisht njerëzit apo pasurinë, por për t’i larguar ata nga një hapësirë e caktuar. Salla e Kuvendit është hapësirë për demokraci dhe ligjvënie e jo për kapitulluesit e shtetit dhe tradhtarët e Republikës. Ne nuk kemi dashur ta lëndojmë askend dhe nuk e kemi sulmuar asnjeri. Asnjëri prej dëshmitarëve të prokurorisë nuk ka pohuar që kemi pasur diçka personale apo individualisht me ta, asnjëri prej tyre nuk ka pohuar se ne e kemi sulmuar dhe as që kemi synuar ta lëndojmë a dëmtojmë fizikisht apo psiqikisht. Madje, deputetja Flora Brovina në fund deklaron se gazi lotsjellës nuk është përdorur kundër një subjekti politik apo individi. Ne kemi vepruar për arsye politike dhe jo kriminale. Nuk ekziston as qëllimi kriminal (mens rea) dhe as veprimi kriminal (actus reus).

Veprimi ynë politik ishte mbrojtës dhe jo sulmues, ishte mbrojtje e personave të tretë, përkatësisht mbrojtje e shtetit republikan, e republikës parlamentare, e rendit kushtetues dhe e qytetarëve të Kosovës. Shumë më të rrezikshme janë çekani, gërshërët, piruni, kaçavida etj. nëse janë në duar të gabuara, që do me thënë tek njerëzit me motive e qëllime kriminale, sesa gazi lotsjellës në duart e deputetit opozitar që parandalon ‘Zajednicën’ dhe ‘Demarkacionin’. Qysh në fillim të aktakuzës, Prokuroria si organ i ndjekjes, thotë se ne kemi qenë “në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës në cilësinë e deputetëve nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje” ” (shih rreshti i dytë në fjalinë e parë në faqe 2 të aktakuzës). Pra, në cilësi zyrtare në mandatin përfaqësues! Jemi përndjekur hapur e qartë si deputetë!

Procesi ka kaluar nëpër shkelje të shumta të të drejtave të njeriut të deputetëve dhe aktivistëve opozitarë. Lehtësia me të cilët policia na ndjek dhe arreston e mandej na keqtrajton fizikisht dhe gjykatat na i japin nga 30 ditë paraburgim është e frikshme. Në rastin tim po i theksoj dy situata. Së pari, kidnapimin nga Policia e Kosovës natën e 12 tetorit 2015 për çfarë kam bërë Kallëzim Penal, mirëpo tash e dy vjet e dy muaj askush nga prokuroria nuk më ka kontaktuar. Së dyti, arrestimin nga forcat elitare anti-terror me 28 nëntor 2015, kur u thye selia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë në një operacion që përbëhej nga qindra policë të cilët rrahën e arrestuan 97 aktivistë. Ne kemi bërë asokohe 80 kallëzime penale për dhunën policore, ndaj të cilave Policia e Kosovës pat reaguar menjëherë duke thënë se ajo i paska pasur 166 policë të lënduar në protestat e vitit 2015, duke pranuar kështu hakmarrjen ndaj nesh me 28 nëntor 2015. Po ashtu, edhe Amnesty International dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës patën reaguar me komunikata zyrtare kundër kësaj ndërhyrjeje brutale.

Prokuroria na akuzoi se secili veç e veç kemi kryer veprën penale nga Neni 409, paragrafi 1 – Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare. Edhe këtë Prokuroria ka dështuar që ta provoj. Para së gjithash, elementi kryesor i kësaj vepre penale sipas përkufizimit ligjor të KPRK-së fillon me dy elemente alternative që kanë karakter objektiv sa i përket përmbushjes së elementeve të veprës penale në fjalë. Përshkrimi ligjor i elementit bazë, citoj: “Kushdo që me forcë apo kanosje serioze” janë kushti kryesor penalo-juridik i cili kushtëzon ekzistimin apo jo të veprës penale të pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare. Sipas gjitha materialeve provuese dhe dëshmive të mbledhura gjatë këtij procesi, pa asnjë mëdyshje, vihet në përfundim se nuk ekziston asnjë provë e vetme e cila dëshmon se ne kemi përdorur forcë apo kanosjen serioze. Përkufizimi i forcës sipas paragrafit 1.15 të Nenit 120 të KPRK-së, vërteton se nuk kemi të bëjmë fare me përdorimin e forcës, qoftë atë fizike apo sipas përkufizimit të cituar përmes dehjes apo hipnozës të zyrtarëve të penguar nga kryerja e detyrave të tyre zyrtare. Ndërkaq për kanosje serioze as që vlen të elaborohet më hollësisht në aspektin e kuptimit faktik të veprimeve tona në raport me pasojën e aluduar në aktakuzë.

Prokuroria është në kundërshtim me pretendimin e kualifikimit ligjor të veprës penale nga Neni 409 të KPRK-së, ku sipas kërkesës i është ofruar transkripti i mbledhjes së Kuvendit të Kosovës ku në këtë dokument vërtetohet fakti se mbledhja për të cilën akuzohen të pandehurit se kanë kryer veprën penale nga Neni 409 të KPRK-së ka përfunduar dhe është mbyllur nga kryesuesi i seancës. Dhe, kryesuesi i seancës, i cili ishte dëshmitari i Prokurorisë në këtë proces por nuk erdhi, nuk na ka përjashtuar neve nga seanca e Kuvendit. Rrjedhimisht, kjo akuzë është tërësisht e paqëndrueshme.

Aktakuza PP.I.nr.810/2015 e Prokurorisë po ashtu mbështetet në provat e marra gjatë kontrollit të zyrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kontroll ky i cili u bë me datën 28 nëntor 2015, me ç’rast u pata arrestuar unë dhe dhjetëra aktivistë të tjerë. Meqenëse pas arrestimit, policia ka marrë nën kontroll lokalet e subjektit politik Lëvizja VETËVENDOSJE!, pa një urdhër paraprak, rregullat nga neni 110 paragrafi 6 përcaktojnë se në raste të tilla brenda afatit prej dymbëdhjetë (12) orësh pas kontrollit policia i dërgon raport lidhur me këtë prokurorit të shtetit dhe gjyqtarit kompetent nëse për këtë çështje është caktuar ndonjë gjyqtar në mënyrë që të merret aprovimi retroaktiv gjyqësor i kontrollit, në pajtim me dispozitat e Kushtetutës. Mirëpo, Policia e Kosovës ka dërguar një raport të tillë vetëm me datën 04.12.2015, pra pas 6 (gjashtë) ditëve kalendarike. Dhe, përtej kësaj, ndonëse në këtë çështje ka qenë i caktuar gjyqtari i procedurës paraprake, në shkresat e lëndës nuk gjindet një aprovim retroaktiv i cili do të duhej të nxjerret doemos. Për këtë edhe sipas dispozitave të Nenit 111 paragrafit 1 me nënparagrafin 1.1 provat e marra gjatë kontrollit, pa lejen e gjykatës, janë të papranueshme, nëse kontrollimi nuk merr aprovim retroaktiv gjyqësor, në pajtim me dispozitat e Kushtetutës. Për më tepër, është Neni 36 i Kushtetutës i cili kërkon nxjerrjen e një aprovimi të arsyetuar i cili nxjerret retroaktivisht. Sipas dispozitave të Nenit 111 paragrafit 1 me nënparagrafin 1.1 të gjitha provat e mbledhura gjatë këtij kontrolli janë të papranueshme.

Gjatë kontrollit të zyrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kishim mungesë të dëshmitarëve gjatë kryerjes së kontrollit, gjë që dëshmohet edhe në vet raportin e policisë. Kjo po ashtu përbën arsye tjetër që provat e mbledhura nga kontrolli i tillë të jenë të papranueshme, në bazë të nenit 111 paragrafit 1 me nënparagrafët 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 108 paragrafin 7 të KPP-së.

Të nderuar të pranishëm,

Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi nuk ishte fare demarkacion por ndryshim i kufirit, jo shënim i vijës kufitare, por caktim i vijës së re kufitare. Marrëveshja e Vjenës e 26.08.2015 e shkeli Rezolutën e Kuvendit të miratuar me 25.06.2015, e cila në pikën 4 thoshte: “Qeveria të raportojë në Kuvend para miratimit të elaboratit ndërkufitar Kosovë – Mali i Zi.”

Siç ka thënë prof. dr. Zejnullah Gruda: “problemi i demarkacionit s’është problem i pronave private, por i ndarjes së sovraniteteve.” Për të vazhduar më tej: “Është anashkaluar kriteri gjeografik, ai strategjik, historik, etnik, hidrologjik, social, ekonomik dhe në vend të tyre është zbatuar (sipas kërkesës së palës malaziase) kriteri kadastral, që në asnjë tekst të së drejtës ndëkombëtare nuk përmendet si kriter themelor”.

Prof. dr. Florim Isufi dhe prof. dr. Shpejtim Bulliqi kanë theksuar që si pasojë e gabimit të komisionit të Murat Mehës “Kah ana e Qafës së Çakorrit distanca ajrore lëviz rreth 4100 m në brendi të territorit të Kosovës, duke lënë jashtë territorit të Kosovës pellgun e Bjelluhës, Vaganicën dhe Shipovicën. Ndërsa kah ana e Kullës rreth 4000 m në brendi të territorit të Kosovës duke lënë jashtë anët veriperëndimore të Zhlebit, të banet e Loqanit dhe një pjesë të të baneve të Glogjanit.”

‘Zajednica’ nuk është organizatë joqeveritare, ajo është organizatë qeveritare, por jo e qeverisë sonë. Është e qeverisë së Serbisë me miratimin, bekimin e qeverisë së Kosovës, por jo edhe të Kuvendit. Ne nuk kemi lejuar normalizimin e ‘Zajednicës’ së Serbisë në Kosovë pikërisht me rezistencën tonë të suksesshme në Kuvend. Janë 14 probleme themelore me Marrëveshjen e 25 gushtit 2015 për ‘Zajednicën’.

Pika 2 eviton Kuvendin e Kosovës dhe thotë që ‘Zajednica’ do të jetë entitet ligjor me karakter të veçantë.

Pika 3 tregon që Statutin e miraton Asambleja e ‘Zajednicës’ e jo shteti, Republika e Kosovës. ‘Zajednica’ do ta ketë rendin vetanak juridik: Marrëveshja e 19 prillit 2013, Marrëveshja e 25 gushtit 2015, Statuti.

Pika 4 tregon që ‘Zajednica’ do të ketë kompetenca të karakterit administrativ, që në aspektin juridik do të thotë ekzekutiv: mbikëqyrje të plotë në ekonomi, arsim, shëndetësi, kujdes social planifikim urban e rural, Më tutje, ‘Zajednica’ i përfaqëson anëtarët e saj karshi Prishtinës dhe ajo vendos marrëdhënie ndërkombëtare me asociacione komunash nëpër botë. Kështu, ‘Zajednica’ shfaqet si nivel i pavarur i vetëqeverisjes.

Pika 5 thotë që ‘Zajednicës’ mund t’i delegohen kompetenca shtesë autoritetet qendrore. Këtë gjë nuk e mundëson Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

Pika 6 tregon që Asambleja e ‘Zajednicës’ mund ta amandamentojë Statutin; se ‘Zajednica’ do të ketë president dhe zv. President, Këshillin me 30 anëtarë dhe Bordin ekzekutiv me 7 anëtarë, administratën e vet, me një shef të saj dhe selinë e ‘Zajednicës’. Zyra e Ankesave është shprehje e mëvetësisë së ‘Zajednicës’.

Pika 8 e barazon ‘Zajednicën’ me autoritetet qendrore, pra qeverinë e Kosovës, duke kërkuar bashkëpunimin e tyre dhe shkëmbimin e informacioneve midis tyre.

Pika 9 thotë që ‘Zajednica’ do të promovojë interesat e komunitetit serb.

Pika 10 thotë se ‘Zajednica’ mund të propozojë amandamente të legjislacionit dhe rregulloreve, pra të bëhet autoritet i burimit të së drejtës, duke u barazuar me Kuvendin dhe qeverinë.

Pika 11 thotë se ‘Zajednica’ mund t’i adresohet të gjitha niveleve të gjykatave në Republikën e Kosovës.

Pika 13 tregon që katër komunat në veri të Ibrit janë bërthama e ‘Zajednicës’ me komandatin e tyre të policisë.

Pika 17 thotë se Serbia është e obliguar ta financojë ‘Zajednicën’ dhe se ajo do të lirohet nga tatimi.

Pika 19 thotë që ‘Zajednica’ mund ta shpërbëjë vetveten me 2/3.

Pika 20 thotë se ‘Zajednica’ do të ketë flamur dhe simbole të veta.

Pika 21 që thotë se Statuti përpilohet nga Ekipi Menaxhues deri më 25 dhjetor 2015, gjë që fatmirësisht ka rënë. Ekipi Menaxhues përbëhej nga dy përfaqësues nga komunat veriore me shumicë serbe dhe dy përfaqësues nga komunat jugore me shumicë serbe, përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe ata të OSBE-së.

Përfundimisht, cili është synimi i këtij procesi kundër nesh?

Prokurorët dhe gjyqtari kryesor janë orvatur të tregojnë se pasojat e veprimeve tona janë të mëdha kurse dobia nuk iu ka interesuar fare. Duan ta gjykojnë e dënojnë imazhin televiziv të tymit në sallë duke e prerë aty kronologjinë për ta shtypur e mohuar të vërtetën, për ta përjashtuar arsyen tonë, e për të na ngujuar në syrin e spektaklit. E, nëse nuk bëhet fjalë për art bëhet punë për marrëzinë. Çmimi i qasjes së tyre është paradoksi: të na vulosë ne si kriminelë të paarsyeshëm.

Por, ka edhe një synim tjetër: prerja e kronologjisë që zhdukë të kaluarën ku ndodhet arsyeja jonë prej deputetësh të shoqërohet me zgjatje në të ardhmen të kronologjisë ku realizohen motivet e tyre që ne të mos mbetemi më deputetë. Dikur, përmes vjedhjes industriale të votave pengohej populli dhe e drejta e tij që të votojë për neve. Tash që nuk mund të ndalet populli më, tash që populli na ka bërë subjektin e parë dhe më të madh në Kuvend e në vend, duan që të na pengojnë të garojmë. Pra, kur na e pamundësonin fitoren na e lejonin garimin. Tash që s’mund të na e ndalin fitoren, duan të na e pamundësojnë garimin në zgjedhje. Ky është synimi tjetër i këtij procesi politik, i këtij persekutimi partiak, kundër neve deputetëve të akuzuar. E ardhmja është në pyetje.

Ju falemnderit.