Festë të madhe ka Kosova, kryeministri na uroi liberalizimin e vizave!

Festë të madhe ka Kosova, kryeministri na uroi liberalizimin e vizave!

  09 May 2019

Loja e politikanëve me popullin e Kosovës, njërin prej popujve nga më të varfrit në botë, nuk ka të ndalur.

Ka tashmë, disa vite që qytetarët e Kosovës urohen për kinse liberalizimin e vizave, por që në të vërtetë është shumë larg të ndodhë një gjë e tillë në realitet.

Hashim Thaçi, tash president i Kosovës, ishte prej politikanëve të parë i cili gënjeu për vite me radhë qytetarët e Kosovës.

Pas tij, vazhduan këshilltarët dhe ministrat e tij, të cilët festonin në zyrat e tyre, më kabinetin dhe femrat e bukura që i kanë afër vetes.

Me ndjenjat qytetare sot luajti edhe kryeministri aktual i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka marrë në “Po” të madhe nga ministri i brendshëm i Gjermanisë për liberalizimin e vizave.

Këto lajme të rrejshme të cilat kaun ndodhur së paku qe dhjetë vjet, janë nënçmim për qytetarët dhe votuesit e këtyre politikaneve dhe partive të tyre.

Këta politikanë, duhet të largohen sa më parë nga politika. Por, si të largohen kur tashmë kanë bërë milionë dhe në kohë zgjedhjeve blejnë vota me para të shtetit?

Qytetarë, ka ardhë momenti që të zgjoheni, që mos të bini më pre e këtyre gënjeshtrave të paskrupulla të politikanëve tanë.

Kosovës i duhet një lidership i fuqishëm, larg politikanëve të cilët që 20 vjet pasluftë u pasuruan me gënjeshtrat duke e zhvatur paranë e popullit e në anën tjetër duke e gënjyer popullin.

Efekti negativ i këtyre politikanëve po shihet me largimin e qytetarëve të cilët janë lodhur nga këta politikanë.

Shtrohet pyetja: pse asnjë familjar, apo militant i këtyre partive të pushtetit nuk po migron rrugëve të Evropës sikurse qytetarët e varfër të cilët ndoshta edhe nuk kanë dalur për të votuar asnjërin nga ta?

Si është e mundur që në të gjitha institucionet e Kosovës, janë të punësuar familjarët e këtyre politikanëve, të afërmit, nipa e mbesa, madje edhe baxhanakët apo baballëkët, si në rastin e djalit të Sami Lushtakut.

Ky është turpi i këtyre institucione, sepse vendet e punës, dhe numrin e madh të ministrive e bëjnë për të vetmin qëllim, me përdor nepotizmin në punë e më pastaj kjo të iu kthehet në vota gjatë zgjedhjeve.

Në tri vitet e fundit, sipas statistikave Kosovën e kanë lëshuar mbi 170 mijë qytetarë, mirëpo, po të shikohet ky trend i cili po vazhdon çdo ditë deri ën fund të vitit do të shkoj numri ndoshta edhe në 500 mijë.

Ky është një alarm për kombin shqiptar, sepse shteti dhe kombi nuk mund të mbrohet, ose ndoshta edhe nuk i duhet askujt, nëse nuk ka popullsi. E kjo popullsi po largohet shkaku i kriminelëve të cilët kanë vra, shantazhu e abuzu me secilin qytetarë që është duke jetuar në Kosovë. Me secilin mërgimtar që jeton në perëndim dhe vjen ta vizitojë Kosovë. Atyre për një pushim dyjavor Kosova, konkretisht njerëzit e pushteti ia vjedhin së paku 50 euro për sigurim të veturës, sigurim ky që nuk vlen asgjë.

Pasurinë politikanët e shtuan dhe në një shtet ky politikanët janë milionerë e popullsia jetojnë me raste sociale, pasi as biznes nuk i lejojnë të bëjnë, sepse u vendosi haraç, lirisht mund të thuhet, pa asnjë dilemë se politikanët janë të korruptuar, ata vrasin për të mbetë në pushtet, ata vjedhin çkado që mundet, sepse nuk ka prokurori që i burgos, nuk ka polici që i arreston, nuk ka njeri që iu del përballë. E në një vend ku nuk vendos ligji i së drejtës, ai vend është problem të kthjellet, të rimëkëmbet. Është problem të kemi një shoqëri të shëndosh, të kemi një arsimim të nivelit të lartë, një shëndetësi të mirë, një ekonomi të lartë…

Në një vend të tillë, nuk ka synim askush të jetoj, andaj nga kjo gjendje që po ndodh në Kosovë është pikërisht për shkak të këtyre politikanëve të korruptuar të Kosovës.

Mirëpo, me vendosshmërinë e qytetarëve, kjo kastë politike mund të largohet njëherë e përgjithmonë nga pushteti.

E deri të ndodh kjo neve do të na vinë gjithmonë urimet e njëjeta.

Urime, Kosovë liberalizimi i vizave!

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.