Falja e gjakut, gjakpirëse e ligjit
Jo rrallë dëgjojmë të flitet se dikush fali gjakun, e dikush tjetër vrau për gjak. Dallimi në mes të këtyre situatave qëndron vetëm në ndërrim të roleve. Gjakësi bëhet i ngujuar, e i ngujuari kalon në gjakës. Gjithçka tjetër është një proces i ngjashëm që ndodhë në çdo gjakmarrje. Ky pra, është një proces që garantohet nga mentaliteti i vetëgjyqësisë. E vetëgjyqësia, në fakt, është veti e primitivizmit, kur ideja për shtetin dhe ligjin ka qenë utopi. E tillë është shoqëria jonë, dhe e njejtë do të mbetet përderisa gjaku falet, e drejtësia nëpërkëmbet.
Kur falet gjaku, atëherë falësi shpërfaq një kompetencë mbi jetën e dikujt, por edhe mbi vetë drejtësinë. Ai që fal gjakun e dikujt, është po aq fajtor sa dikush që vret për gjak. Eshtë fajtor pasi është kontribues i mbjelljes dhe kultivimit të një mendësie primitive që pjellë vetëm mort, falje dhe prapë mort. A po, siç mund të përshkruhet ndryshe, e fut fatin njerëzor në një rreth vicioz, me të gjitha predispozitat për të qenë i vrarë por edhe i falur në çdo moment. Pra, ne vendosim për jetët e të tjerëve, dhe mandatojmë vetën të mëtojmë drejtësi.
Por, sa e dëmton vetë drejtësinë kjo drejtësi primitive?
Faljen e gjakut, si ceremoni, më shqetësuese e bën pjesëmarrja e aktorëve politike në to, që në kushte normale ata është dashur t’i kontribuojnë ligjësisë. Të shpeshta janë spektaklet mediatike të politikanëve në pajtimin e gjaqeve. Pjesëmarrja e Ramush Haradinajt në një falje gjaku në Deçan ditë më parë, e vërteton këtë gjurulldi drejtësi, dhe e aktualizon një problem dhjetëra vjeçar.
Në pamje dhe gjykim të parë, falja e gjakut cilësohet si akt njerëzor, madje heroik, pa çka se e gjithë kjo drejtësi është pazar me jetët e të tjerëve dhe sabotim i ligjit dhe shtetit. Ligji, të paktën mendohet, se është krijuar për të mbrojtur jetën e secilit individ. Ndërkaq, drejtësia kanunore, është proces paralel që pambarim e dëmton ligjësinë dhe shtetin. Kështu, duke krijuar një drejtësi paralele larg institucioneve, shfuqizohet drejtësia institucionale. Kjo së pari vije për shkak të mos besimit në drejtësinë institucionale shtetërore dhe së dyti për shkak të traditës së mendësisë kolektive mbi të zgjidhurit e problemeve jashtë institucioneve. Shpërfillja reciproke e të dyja palëve; shtetit dhe strukturës kolektive që fal gjakun, i shërben veç kësaj të fundit. Pra, e lë të zhvillohet pa pengesa.
Por, t’i marrim me radhë.
Kur ndodhë një vrasje, dorasi duhet dënuar, e jo sic amniston Kanuni, nëse gjaku falet. Pra, falja e gjakut krijon një situatë paradoksale. Shikuar në këtë përspektivë, vrasësi mund ta kryej aktin duke menduar faljen e jo dënimin si sanksion i patjetërsueshëm. Pra, vepra kryhet duke mos pasur drojë të madhe, e krejt kjo falë mundësisë për falje. Por, nuk mjafton me kaq. Dënimi ndaj dorasit, duhet të bëhet për të shpëtuar të tjerët nga ai, por edhe atë nga vetja.
Thuhet nga vetja pasi, sipas neuroshkencës(shkenca mbi nervat), ne nuk jemi krejtësisht fajtorë për atë që jemi, por më shumë mënyra e ndërveprimit të trurit dhe rrethanave. Kjo sepse janë faktorë të shumtë që ndikojnë në formimin e prirjeve tona. Nga gjenetika, përvoja e kultura, nënvetëdija jonë kushtëzon vetëdijen dhe na bën ashtu si jemi. Ne rrallë mund ta dimë pse jemi ata që jemi për shkak se sipas shkencës në vetëdijën tonë kalojnë vetëm ato gjëra të cilat janë në mendjen tonë mbi 60 milisekonda. Çka do që përjetojmë në më pak se 60 sekonda, është dicka për të cilën ne nuk do të jemi të vetëdijshem. Megjithatë edhe këto ndikojnë në atë që jemi ne dhe në prirjet tona. Thënë ndryshe, një kriminel nuk ka faj pse është kriminel. Asnjëherë nuk do ta dimë se çka ka ndikuar që ai të jetë ose pse ka prirje të jetë i tillë, sepse kjo mund të vie si vazhdimësi e gjeneve, ose e mënyrës së funksionimin të trurit që nuk është shumë në dorën tonë. Vrasësit vec i bjen në “hise” ajo mendje e ai trup.
Kështu, njeriun e tillë, po që se e falim, e lëmë të lirë të krijojë precedente të tjera, mbase edhe jo krejtësisht me fajin e tij, dhe shoqërisë i ngelet akoma rreziku në oborr. Për ta evituar këtë, duhet të heqim dorë nga falja e gjakut, dhe duhet ta vëmë në punë ligjin, i cili do ta dënojë me izolim; e i cili person, nga izolimi, nuk mund të kanosë më rrezik.
Pra, sic edhe mund ta shohim, faljet e gjakut nuk duhet pritur me ekzaltim, si diçka humane, patriotike a heroike, pasi është pikërisht ky indikator që nxit vrasjen. Vrasësit duhet të dënohen e izolohen, njëlloj siç duhet të izolohet në sirtarët e harresës, drejtësia kanunore.