Fakte të reja në rastin “Lumezi”

  31 Oct 2017

Betim Musliu nga emisioni “Betimi për Drejtësi” në emisionin “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se në storjet e ardhshme të KTV-së dhe emisionit të tij do të dëshmojnë edhe disa persona në “Rastin Lumezi”.

Në “Interaktiv”, Musliu ka thënë se sistemi i UNMIKU-t ka mbajtur procesverbale të kandidatëve që kanë aplikuar për të qenë pjesë e gjyqësorit gjatë vitit 2000. Në këto procesverbale të cilat i kanë dëshmitarët, Aleksandër Lumezi ka deklaruar se nuk e ka të kryer provimin e Jurisprudencës.

“Kur UNMIK-u ka krijuar gjyqësor emergjent, është munduar të zgjedh një numër të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe del që më 1 shkurt, me një konkurs, Lumezi nuk ka arritur që ta kalojë atë”, ka thënë Musliu.

“Ka dëshmitarë tjerë të gjallë që kanë ofruar dokumente kur Lumezi ka deklaruar se nuk e ka të kaluar provimin e Jurisprudencës. Ka procesverbale të dëshmitarit që ka qenë anëtar i komisionit dhe së bashku me ndërkombëtarët ka intervistuar kandidatët”, ka shtuar ai.

“Ka qenë e palogjikshme që një nga dëshmitarët të del e të thotë diçka që do t’i kushtonte Lumezit pas 17-18 vjetësh. Ai ka shpresuar që të ketë mundësi të bëhet pjesë e sistemit, por rregullorja e UNMIK-ut nuk ka lejuar që të ushtrohet detyra e gjyqtarit pa e pasur provimin e Jurisprudencës”.

Të martën KTV-ja ka raportuar se në shtatorin e vitit 1999, ish-kryeadministratori i Kosovës, Bernard Kushner, krijoi Komisionin Këshillëdhënës Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës, në përbërje të të cilit ishin 11 persona, 7 vendorë dhe 4 ndërkombëtarë.

Misioni i këtij komisioni ishte themelimi i Sistemit Prokurorial dhe Gjyqësor në Kosovë.

Riza Smaka, kryesues i tij, dhe anëtarët Adil Fetahu, Shaban Kajtazi, Tadej Rodiqi, Rexhep Murati, Ragip Halili dhe Bajram Krasniqi nisën punën e gjetjes së njerëzve adekuat në 7 regjione të Kosovës.

Bazuar në deklaratat e disa prej anëtarëve, më 1 janar të vitit 2000 nisën punën prokurorët dhe gjyqtarët e parë në Kosovë.

Kryetari i këtij Komisioni, Riza Smaka, thotë se konkurrent për prokuror në grupin e parë ishte edhe Aleksandër Lumezi.

Lumezi u refuzua pikërisht për provimin e jurisprudencës, jo që u dyshua për vërtetësi, por meqë vetë kishte deklaruar se nuk e kishte të dhënë atë.