Erdogan kërcenon SHBA-në
Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan tha sot se nëse SHBA nuk e pranon Turqinë ashtu siç është “atëherë ne nuk kemi nevojë për atë”.
“Ne nuk jemi një shtet fisnor. Ne jemi shteti i Republikës së Turqisë dhe ju do ta pranoni atë. Nëse nuk e bëni, atëherë më vjen keq, por ne nuk kemi nevojë për ju”, tha Erdogan, në mes të krizës diplomatike në lidhje mbi vizat mes Ankarasë dhe Uashingtonit, raporton “Hurriyet Daily Neës”, transmeton Periskopi.
Ai edhe njëherë kritikoi hezitimin e SHBA-së për t’i shitur armë Turqisë, ndërsa në vend të kësaj “u ofronte armë falas organizatave terroriste”.
Erdogan gjithashtu përsëriti pretendimin e tij se ishte Ambasadori i SHBA-së në Ankara, John Bass, i cili nxiti krizën aktuale të pezullimit të vizave.
“Më lejoni të jem shumë i qartë, personi që e ka shkaktuar këtë është ambasadori këtu. Është e papranueshme që SHBA-ja ka sakrifikuar një partner strategjik si Turqia për një ambasador të supozuar”, tha ai.
“Nëse një ambasador në Ankara qeveris Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është një turp,” shtoi ai.
Erdogan tha gjithashtu se Ankaraja do të qëndrojë pas vendimit të saj për të pezulluar reciprokisht shërbimet e vizave me Uashingtonin “nëse sekretari i shtetit dhe presidenti i SHBA-së mbrojnë vendimin e ambasadorit”.