EKSKLUZIVE / Zbulohet “Plani R-7” i Titos, si do e sulmonte Shqipërinë me mercenarë shqiptarë

EKSKLUZIVE / Zbulohet “Plani R-7” i Titos, si do e sulmonte Shqipërinë me mercenarë shqiptarë

  06 Jul 2020

Nga Nevila Dervishi

Në vitin 1952, kur Enver Hoxha kishte nisur të ndihej krejt komod të prehrin e madh të Josif Stalinit dhe Bashkimit Sovjetik, dhe kur anglo-amerikanët po tërhiqeshin nga tentativa e tyre për të rrëzuar komunizmin në Shqipëri, sa duket ka pasur një personazh hatërmbetur, apo, më keq akoma, zemërak.

Ishte Josip Titua, tutori i dikurshëm i Enver Hoxhës, i cili duket vazhdonte të mos përtypte shkatërrimin e atij investimi të gjatë për të përfshirë shtetin e vogël të shqiptarëve brenda kufijve të Jugosllavisë multietnike.

Sa duket, ky zemërim dikur ka prodhuar edhe idenë e një aventure hakmarrëse: të pushtonte ushtarakisht Shqipërinë.

Sipas një dokumenti zyrtar të CIA-s (Agjencisë Qendrore të Informacionit) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që mban datën 23 korrik 1953, Qeveria Jugosllave, qysh prej një viti, kishte bërë gati një plan pushtimi sekret të njohur si “Plani R-7”, të përpiluar nga një numër gjeneralësh ushtarakë, më anë të zbatimit të të cilit do të synohej pushtimi i Shqipërisë.

Pushtimi do të kryhej nga trupa shqiptare (emigrantë shqiptarë në Jugosllavi) dhe elementë kosovaro-jugosllavë.

Ato do të shoqëroheshin nga një divizion trupash të rregullta të Ushtrisë Jugosllave, po që nuk do të futej në territorin shqiptar.

Ndërsa trupat që do të futeshin në brendësi, do të udhëzoheshin që të rekrutonin gjithkënd, qoftë ushtarë dezertorë, qoftë kundërshtarë të regjimit.

Po kështu, këto trupa do të trajnoheshin që ti shmangeshin betejave të kota me trupat që do i qëndronin besnike Enver Hoxhës, duke pasur si qëllim kryesor kapjen e Tiranës.

Detaje më të hollësishme për këtë plan të Titos përmban dokumenti i mëposhtëm i CIA-s:

SEKRET

Vendi: Shqipëria/Jugosllavia

Subjekti: Plani Jugosllav për invadimin e Shqipërisë

Data e shpërndarjes: 23 korrik 1953

Nr i faqeve: 2

1-Programi Ushtarak Jugosllav në lidhje me Shqipërinë është hartuar mbi një vit më parë nga gjeneralët Peko Dapcevic, Svetozar Vukmanovic dhe Kosta Nadj.

Njihet si “Plani R-7” dhe një pamje e përgjithshme e tij parashikon një pushtim të Shqipërisë kryesisht nga trupat shqiptare me ndihmën e disa elementëve kosovaro-jugosllavë.

2-Sipas Planit, diversionistët dhe propaganduesit do të ndërsejnë opinionin publik shqiptar kundër Hoxhës dhe kundër Sovjetikëve qysh përpara aksionit ushtarak.

Pas këtij veprimi përgatitor, njësitë ushtarake shqiptare në Jugosllavi, të alternuara me një divizion të ushtrisë së rregullt jugosllave të përbërë nga elementë kosovarë, do të hynin në Shqipëri dhe, duke ndjekur drejtime të ndryshme, do të takoheshin në Tiranë.

Ndërkohë, ushtria e rregullt jugosllave do të mbetej e përqendruar përgjatë kufirit shqiptar dhe Qeveria Jugosllave do të deklaronte qëllimin e saj për të mos ndërhyrë në punët e brendshme të Shqipërisë pa urdhra të drejtpërdrejtë nga Kombet e Bashkuara.

3-Gjatë përparimit të tyre për në Tiranë forcat shqiptare do të mobilizojnë popullsinë vendase duke mbledhur trupa vullnetare si dhe dezertorët nga ushtria e Hoxhës.

Sido që të shkojë puna, nuk do të bëhet asnjë përpjekje për tu përfshirë në luftime të pavlera me njësi të ushtrisë, të cilat do i qëndrojnë besnike Hoxhës – nëse kjo ndodh, njësi të vogla do të shkëputeshin për këtë qëllim; ose përndryshe, të gjitha njësitë duhet të shmangeshin.

Në rast se trupat e Hoxhës do të bënin një rezistencë të papritur, të fortë, ose të gjatë, ose në rast se trupat sovjetike do të ndërhynin, formacionet shqiptare do të ndaheshin në njësi më të vogla dhe do të zhvillonin luftë guerile në përpjekje për të vendosur një situatë revolucioni dhe lufte civile në vend.

4-Në lidhje me këtë plan, Partia Komuniste Jugosllave vlerëson se, gjatë marshimit të saj në Tiranë, forca e organizuar shqiptare do të jetë në gjendje të rritet në përafërsisht 50 000 njerëz dhe kështu do të jetë e aftë të përfundojë misionin e saj brenda një kohe të shkurtër.

Pritet gjithashtu që, sapo të bjerë Tirana, trupat sovjetike në Shqipëri të tërhiqen në ishullin Sazan, nga ku mund të evakuohen.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.