fbpx
Ekskluzive: Flet Ibrahim Kelmendi: Nuk e vrava unë Jusuf Gërvallën!

Ekskluzive: Flet Ibrahim Kelmendi: Nuk e vrava unë Jusuf Gërvallën!

  12 Oct 2017

Ibrahim Kelmendi është një ndër emrat më të përfolur, më të lakuar dhe më të akuzuar për shumë veprimtari si në diasporë ashtu edhe në Kosovë. Është ndër themeluesit e LPK-së, ndër bashkëpunëtorët dhe miqtë e afërt të ish-krerëve të lartë të UÇK-së e tash të PDK-së, por i ka prishur raportet pothuaja me të gjithë.

Në këtë intervistë ekskluzive Ibrahim Kelmendi flet për themelimin e LPK-së, për dyshimet ndaj tij për vrasjen e vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës, për nyjën Gordiane shqiptare, për rezistencën – protestat e viteve 80-ta, për rezistencën paqësore të Ibrahim Rugovës, për PDK-në e LDK-në, për demarkacionin dhe për Ramush Haradinajn, për rrezikun nga radikalizmi islamik etj.

 

Sikur të ishit në gjendje që ta përshkruanit vetveten (më të gjitha cilësitë dhe të metat) si do ta bënit më pakë fjalë?
Kush është Ibrahim Kelmendi i keqkuptuar nga të tjerët dhe kush është Ibrahim Kelmendi i vërtetë?

Nuk praktikohet dhe nuk është në gjendje që njeriu ta “përshkruajë” veten e tij, sepse, pos tjerash, është subjektiv. Përndryshe, jam njeri, shqiptar, agnostik, që pjesën më të madhe të kohës e kam kaluar duke u marrë me veprimtari çlirimtare, publicistike dhe letrare.

 

Pyetje: Në jetën e secilit individ ekziston momenti kyç që ia përcakton kahjen rrugëtimit të tij biografik dhe formimit të tij specifik njerëzor, intelektual e profesional. Cili ishte ai momenti kyç që e inspiroi ushqeu dhe frymëzoi veprimtarinë tuaj kombëtare dhe cili ishte veprimi juaj i parë konkret për çështjen kombëtare që e pamundësoi qëndrimin tuaj të mëtutjeshëm në atdhe?

I.Kelmendi: Kthesa ime e madhe në formësim të mendësisë intelektuale shqiptare duhet të ketë qenë fillesa e deislamizimit, në vitin 1969! Isha djalë babait mysliman, i cili ishte edhe hoxhë autodidakt, tepër i përkushtuar e fanatik. Edhe unë, pavetëdijshëm, isha besimtar i përkushtuar mysliman, do të thosha rastësor dhe aksidental, sepse isha fëmijë (viktimë) i prindërve myslimanë. Ajo fillesë e çlirimit nga Islami, – që shqip i bie nënshtrimi, – bëri që unë të filloja të merresha me problemet jetësore tokësore, në vend se ta kisha vemendjen kryesisht të “bota e përtejme”, siç e obligon Islami secilin mysliman. Tjetra kthesë me rëndësi ishte pjesëmarrja rastësore qysh në nismë në demonstratën që u organizua  në Pejë në nëntor 1968! Ishte demonstratë e ndaluar. Nisi në shkollën e mesme të mësuesisë. Duke qenë në orë të fizkulturës, në oborr të shkollës pashë grumbullin e parë prej rreth 15 vetave, që po i thërrisnin nxënësit t’u bashkëngjiteshin për të demonstruar. Ata ishin maturantë, në vitin e pestë, rreth 20-vjeçarë. Në mesin e tyre ishte edhe vëllai im më i moshuar. Ai përjetim ndikoi shumë në kthesën time, për t’u marrë me angazhime patriotike, duke eskaluar në arratisjen time nga Kosova, në Gjermani, në korrik të vitit 1976. Aty e tutje, preokupimi kryesor ka qenë veprimtaria patriotike çlirimtare, ndërsa studimet i kam frekuentuar vetëm për përgatitje teorike për atë veprimtari.

 

Pyetje: Cilat janë ato nyjat Gordi-ane në hartën mentale të shqiptarëve që i krijuan keqkuptimet e dhimbshme historike dhe që e penguan zgjidhjen definitive të çështjes kombëtare, por edhe që e stimuluan atdhedashurinë  shterpe, deklarative e euforike dhe jo atdhedashurinë e dobishme, përmbajtësore e konstruktive që padyshim do t’i ndihmonte shumë më tepër evoluimit të vetëdijes politike, kulturore dhe edukative të shqiptarëve për rëndësinë e atdheut dhe shtetit në jetën e individit dhe shoqërisë?

Populli shqiptar ka një evoluim të ngatërruar etnik.

I.Kelmendi: Nuk di të ketë nyje të Gordit në hartën mentale të shqiptarëve, në kuptimin që ke pyet Ti. “Nyja e Gordit” sipas legjendës përkatëse antike, është nyje e një litari që duhet ta ketë prerë me shpatë Aleksandri i Madh, kur ia ka vënë si kusht mbreti frigas (në Azinë qendrore) që ta zgjidhte, për t’u bërë sundimtar i gjithë Azisë. Në kuptimin figurativ Nyja e Gordit përdoret në raste kur duhet marrë vendim për zgjidhje të ndonjë problemi të madh, ose kur duhet të ndodhë ndonjë përcaktim me rëndësi.
Populli shqiptar ka një evoluim të ngatërruar etnik. Jeton në hapësira ku në antikitet e mesjetë të hershme kanë jetuar ilirët, dardanët, makedonët, epirotët, helenët, grekët, që të gjithë popuj pellazgjikë, të cilët flisnin pothuajse të njëjtën gjuhë, për të cilën ne mendojmë se duhet të ketë qenë një proto-shqipe. Qytetërimin antik e ngulfati Lindja dhe përhapja e Krishterimit obskurantist, i cili Europës i imponoi një mesjetë të errët, të gjatë mbi njëmijë vjet. Qysh nga shekulli i 14-të konkurruese e atij religjioni, ishte “pjella” e tij morbide: Islami. Ai u përhap me dhunë ushtarake në Europën Juglindore, përmes pushtuesve osmanë. Ai pushtim e sundim zgjati deri në vitin 1913, kur Perandoria Osmane u dëbua nga trojet tona. Por, në vend të pushtuesve osmanë na u imponuan pushtuesit serbë, bullgarë, malazezë, helenë, që copëtuan mes tyre trojet e banuara kryesisht me shqiptarë. Mundi të pavarësohet vetëm Shqipëria, të cilës ia përcaktoi kufijtë Konferenca e Fuqive të Mëdha në Londër, në vitin 1913. Pothuajse të njëjtit kufij janë edhe tani.
Këto pushtime të gjata kanë ndikuar shumë edhe në identitet të shqiptarëve. Fatkeqësisht, në shekullin 20-të shqiptarët hynë me përmasa të analfabetizmit mbi 99 %, me vetëdije të fragmentarizuar kombëtare e sociale, me kulturë hibride.
Këto duhet të kenë qenë arsyet që Fuqitë e Mëdha, në Kongres të Berlinit (1878), në Konferencë të Ambasadorëve në Londër (1913), në Konferencë të Paqes në Versajë (1919), Në Konferencë të Jaltës (me 4-11 shkurt 1945), që dy të tretat e shqiptarëve i dhunuan me pushtime përkatëse. Prandaj, populli, pa mëvetësi etnike gjatë rreth 2300 vjetëve të fundit, nuk qe në gjendje t’i sfidonte pushtimet e popujve fqinjë, të përkrahur nga fuqitë e mëdha imperialiste.
As Lëvizja e Rilindjes Kombëtare e gjysmës së dytë të shekullit 19-të dhe e dekadave të para të shekullit 20-të nuk pati potencial më të madh se sa të përmbarohet me Shqipërinë londineze, në kuptimin politik. Ndërsa në kuptimi e vetëdijesimit kombëtar, ajo nuk ia doli të përmbarojë ndërgjegjësimin kombëtar të të gjithë shqiptarëve.
Në hapësirën që u ripushtua nga Jugosllavia në vitin 1945, edhe me përcaktim të Konferencës së Jaltës, shqiptarët iu nënshtruan një sundimi barbar, asimilues. Vetëm gjatë viteve të 70-ta e 80-ta ia dolëm të ndërgjegjësohemi kombëtarisht e politikisht, si rezultat i arsimimit të hovshëm të Kosovës dhe i garave në mes të popujve kroato-sllovenë, në njërën anë, dhe serbo-malazezë në anën tjetër. Megjithatë “elita” shqiptare edhe gjatë viteve të 70-ta, 80-ta, 90-ta, vazhdonte të ishte konformiste, marionetiste, kuislinge, sepse preferonin rrojtjen e mirë që ua mundësonin pushtuesit.
Megjithatë, ndodhi mrekullia – Kryengritja e armatosur çlirimtare në vitin 1998, e cila zgjati deri më 11 qershor 1999, kur Serbia nënshkroi me NATO-n kapitullimin ushtarak dhe tërheqjen e forcave të armatosura nga Kosova, për t’ua liruar hapësirën KFOR-it dhe UNMIK-ut ndërkombëtar, që u përmbyll me mëvetësinë shtetërore të Kosovës më 17 shkurt 2007!

Ja kur u formua LPK-ja? 

Pyetje: Kur u formua LPK, cili ishte misioni i saj nismëtar dhe kush ishin themeluesit e saj ? Kush ishin individët që e sabotuan më së shumti punën e saj, me direktivat e kujt vepruan, prej kujt u rekrutuan, si vepruan dhe cili ishte qëllimi i tyre ?

I.Kelmendi: Lëvizja u formua më 17 Janar 1982. Ishte bashkim në mes të organizatave të atëhershme: Lëvizja Nacionalçlrimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), e përfaqësuar nga Jusuf Gërvalla, Organizata Marksiste-leniniste e Kosovës (OMLK), e përfaqësuar nga Kadri Zeka dhe Fronti i Kuq Popullor (FKP), i përfaqësuar nga unë. Takimi dhe vendimmarrja ndodhi në shtëpinë që e banonin me qira Vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, në fshatin Untergruppenbach (pranë Stuttgart-it).
Përcaktimi i saj kryesor ishte realizimi i Republikës së Kosovës në kuadër të ish-Federatës Socialiste të Jugosllavisë.
Fatkeqësisht, në të njëjtën ditë kur po përgatiteshin edhe dokumentet përkatëse, si procesverbali i bashkimit, platforma e saj dhe komunikata njoftuese, ndodhi vrasja e Vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, pranë shtëpisë ku banonin Vëllezërit Gërvalla.
Shërbimet jugosllave, pos vrasjes fizike të themeluesve të Lëvizjes, organizuan edhe komplotin kundër Lëvizjes të sapoformuar. Për këtë komplotim konkretisht duhet të jenë komanduar kuadrot e UDB-së, Sabri Novosella dhe Abdullah Prapashtica, të cilët simuluan formimin e një lëvizjeje, por tani duke i “bashkuar” LNÇKVSHJ, përfaqësues Sabri Novosella, dhe Partinë Komuniste Marksiste Leniniste Shqiptare në Jugosllavi (PKMLSHJ), përfaqësues Abdullah Prapashtica. Atij “bashkimi” (komplotist), të 17 shkurtit 1982, iu bashkangjit edhe Xhafer Shatri më 9 maj 1982, duke “Përfaqësuar” OMLK-në.
Meqë ishin komanduar për të bërë komplote, po ata tre “përfaqësues” menjëherë pas “bashkimit” filluan grindjet mes tyre, që emigracionit patriotik t’i imponoheshin grindje të vazhdueshme. Deri ne verë 1984, kur ata tre dhe argatët e tyre u dëbuan, kishim edhe viktima fizike – një të vrarë e katër të plagosur. Pas dëbimit të tyre Lëvizja u pozicionua në themelin e saj të 17 Janarit 1982, të përgjakur edhe me tre martirët e parë të saj.
Pikërisht ajo lëvizje ia doli ta sfidonte Jugosllavinë dhe Serbinë pushtuese, duke dhënë kontributin kryesor në çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb!

Pyetje: Pse jeni aq shumë i përfolur si njëri nga vrasësit e mundshëm të vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës dhe kush i ushqeu më së shumti me fakte të sajuara apo të pasajuara akuzat kundër jush ?

I.Kelmendi: Duke anashkaluar për një moment modestinë, proverbi popullor thotë: “Pas atit dhe jo pas gomarit ngritet pluhur!”
Fatkeqësisht dhe fatmirësisht mbijetova atetantet fizike të 17 janarit 1982. Për mbijetesë merita kryesore, konkrete, fizike, u takon Jusufit e Kadriut, që më detyruan të udhëtoj rreth orës 15:30 nga Untergruppenbach-u për në Dyseldorf, meqë një javë përpara kishim bërë paralajmërimin në Klubin Shqiptar në Dyseldorf për shfaqje të një filmi të Kinostudios “Shqipëria e re”. Disa filma dhe tv-drama i kishin ardhur ato ditë nga Tirana Jusuf Gërvallës në kaseta video. Dhe unë ato kaseta tani duhej t’i dërgoja në Dyseldorf, që të shfaqeshin në mbrëmje në lokale të Klubit.
Fatmirësisht mbijetova edhe për të dëshmuar ngjarjet e deriatëhershme në emigracion dhe për tu angazhuar që të jetësohet vendimi që patëm marrë me 17 Janar 1982!
Fatkeqësisht mbijetova për të vuajtur gjithë atë ortek të luftës speciale që startuan shërbime jugosllave, duke përhapur shpifje nga më ordineret. Shërbimet jugosllave dhe të KSA të Kosovës mundën të përvetësojnë edhe familjarë e bashkëveprimtarë të Jusuf Gërvallës, që të përhapnin shpifje, sikur unë kisha kontribuar edhe në atë vrasje të trefishtë që na pat goditur tepër tragjikisht.
Fatmirësisht i sfidova gjithë ato shpifje, por i dërrmuar. Edhe tani ka nga ata që vazhdojnë të shpifin, por tani nuk pjerdh më, meqë përcaktimi kryesor që kishte Lëvizja jo vetëm që e realizuam, por e edhe e tejkaluam, nëse mund të shprehem kështu, meqë ne ishim përcaktuar të realizonim Republikën në kuadër të RSFJ-së, por realizuam çlirimin!
Fatkeqësisht në Gjemani institucionet kompetente kanë bërë hetime të plogështa për të zbuluar dorasit dhe urdhërdhënësit e atyre vrasjeve tragjike. Vetëm një proces gjyqësor është bërë, kundër të dyshuarit konkret, Riza Salihu nga Mushtishti i Suharekës, atëherë me banim në Stuttgart, dhe ai proces është aktivizuar tek në vitin 1990. Në atë proces gjyqësor unë isha caktuar nga prokuroria dhe Gjykata në Stuttgart si dëshmitar i palës së dëmtuar, siç thuhet në zhargonin juridik. Fatkeqësisht, në pamundësi për të siguruar disa dëshmitarë që gjendeshin në Jugosllavi, ajo Gjykatë nuk mundi të marrë vendim gjyqësor për akuzën e ngritur.

Nuk jam larguar nga LPK-ja deri në shpërbërjen e saj

Pse e braktisët në një moment të caktuar Lëvizjen dhe pse jeni njëri nga veprimtarët e rrallë të çështjes kombëtare që nuk u kyçën asnjëherë në politikën aktive?

Lëvizjen nuk e kam braktisur asnjëherë, nga 17 janari 1982 deri kur e kemi mbajtur Kuvendin e fundit, në qershor 1999, në Prizren, i cili ka vendosur që të shpërndahet Lëvizja (LPK-ja).
Në partitë politike në Kosovë nuk jam angazhuar për shkak se nuk e gjeja veten në Kosovë. Gati 24 vite ekzil me kishin “tjetërsuar”, nuk isha kompatibël me gjendjen dhe me mentalitetin në Kosovë, prandaj u përcaktova që të rrija anash, për të provuar të ambientohem.
Në Kuvendin e fundit, kur më patën propozuar anëtar grupi që do të merrej me themelim të një partie politike, pata refuzuar, me arsyetimin vijues:
“Falënderoj Lëvizjen dhe UÇK-në që krijuan mundësinë të kthehem në Kosovën e çliruar. Nëse ka qenë me vlerë angazhimi im jetësor, ka qenë i mjaftueshëm, nëse ka qenë i dëmshëm, ka qenë i tepërt…” (parafrazim).
Përherë kam pasur oferta për t’u angazhuar, por kam menduar se unë jam harxhuar dhe prandaj duhej të angazhohej brezi pasues, energjik e me ide më novatore.