Vetëvendosje po shkon drejt zyrtarizimit të Albin Kurtit për Kryetar Partie. Tashmë, është bërë publike nominimi i tij për Shef të VV’së. Në gjithë këtë situatë, krahu i Dardan Molliqajt e Visar Ymerit po heshtin. Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Hydajet Hyseni nuk tregoi asgjë lidhur me kandidatët dhe përgatitjet e tjera, ai sugjeroi që të kontaktohet Drejtori i komisionit për zgjedhje, Hysen Durmishi. Por, ky i fundit gjatë të dielës nuk ka qenë i qasshëm.
Dardan Molliqaj e Visar Ymeri janë deklaruar nga dy herë nëpër televizione për ndarjet në Vetëvendosje, por, ende s’e kanë thënë asnjë për nomimin e Albin Kurtit për Shef Partie.
Para se të bëhej zyrtar emri i Kurtit për Kryetar, Ymeri dhe Molliqaj kishin dalë kundër. Madje, kishin paralajmëruar edhe largimin nga Vetëvendosje nëse një gjë e tillë ndodh në praktikë. Ymeri ishte ofruar si opsion konsensual, derisa Molliqaj kishte paralajmëruar largim nëse Kurti rikthehet në kreun e VV’së.
Në gjithë këtë situatë, zyrtarët e VV’së po heshtin. S’kanë folur më as Aida Dërguti, e cila u bë personazhi kryesor i ndarjeve në parti, kur u publikua fyerja e saj ndaj Albin Kurtit.
Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të VV’së, Hydajet Hyseni, ka thënë për Express të dielën se s’mund të flasë lidhur me zgjedhjet partiake. Ka thënë se duhet kontaktuar përgjegjësin Hyseni Durmishi, i cili nuk është lajmëruar gjatë ditës për të sqaruar nëse edhe dikush tjetër përpos Kurtit ka shfaqur interesim për të marrë udhëheqjen e Partisë më të madhe në Parlament.
Sidoqoftë, Kandidaturën e Kurtit e ka konfirmuar përmes Facebook-ut anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, Erzen Vraniqi.
“Si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, nënshkrova në mbështetje të kandidaturës së Albin Kurtit për kryetar të Lëvizjes”, shkruan Vraniqi.
Ai thotë se tashmë zyrtarisht ka nisur edhe grumbullimi i nënshkrimeve.
Gjatë javës së kaluar VV kishte mbajtuar një mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm në të cilën kishte munguar deputeti Albin Kurti, Visar Ymeri, Dardan Molliqaj e Aida Dërguti. Por, me një letër, Kurti nga burgu e Ymeri nga Fb, u ishin drejtuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm.
Kurti kishte ua kishte treguar derën atyre që nuk pajtohen me Vetëvendosjen duke thënë se secili prej tyre është i zëvendësueshëm. Derisa Ymeri kishte deklaruar se mbledhja e partisë pa Kurtin s’kishte kuptim. Paralajmëronte edhe ndarje nëse vazhdohen të diskutohen problemet partiake në grupe të mëdha.
Ende nuk dihet se a do të ketë edhe ndonjë anëtarë të VV-së në garë për të parin e partisë. Zgjedhjet do të mbahen në muajin shkurt.
Vetëvendosje ishte udhëhequr nga Albin Kurti ndërsa aktualisht kryetar i saj është Visar Ymeri.
Vetëvendosje është partia me 32 deputetë derisa në zgjedhjet e fundit lokale fitoi përpos në Prishtinë, edhe në Prizren e Kamenicë.
Aktualisht, Albin Kurti është në paraburgim për shkak të gazit lotsjellës që kishte përdorur në seanca të Parlamentit për të kundërshtuar marrëveshjen e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi