Duam paqe me Shqiptarët!

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka njoftuar se qeveria serbe në seancën e ardhshme do të bie dakord mbi kushtet teknike të nevojshme për dialogun e brendshëm mbi Kosovën, të cilin e ka inicuar ai dhe se propozimi për këtë çështje do t’u paraqitetit qytetarëve.

“Mbrëmë kam biseduar me Kryeministrien dhe në mbledhjen e ardhshme të qeverisë do të sigurohen të gjitha kushtet teknike për të nisur gjithçka për të cilën kemi biseduar, do të organizohet një grup pune për të siguruar logjistikën dhe pastaj do të fillojmë me të gjitha këto”.

”Do të kemi durimin për të dëgjuar gjithçka dhe pastaj do të jemi të guximshëm për të lëvizur me një propozim që do t’i prezantojmë popullit tonë”, tha Vuçiq në përfundim të Forumit të Sigurisë të Beogradit, raportojnë mediat serbe.

Presidenti serb, citohet të ketë thënë, se pengesa më e madhe në rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian është “gjetja e një zgjidhjeje për Kosovën”.

“Kemi konflikt të ngrirë për shumë vite. A është mirë ta kemi këtë konflikt të ngrirë edhe për 50 apo 100 vjetët e ardhshëm? Nuk mendoj. Kjo është arsyeja përse kam nisur diskutimet e brendshme”, tha Vuçiq në një intervistë për agjencinë AP.

“Me shqiptarët, mendoj se na duhet marrëveshje afatgjate e paqes për 200 vjetët e ardhshëm”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se të gjitha palët “do të duhet të bëjnë disa kompromise”.