Drashkoviq e di shkakun e bombardimeve: Allbright erdhi e tërbuar në Paris, nëse Millosheviqi do të…
Ish-nënkryetari i RFJ-së në vitin 1999, Vuk Drashkoviq ka deklaruar se është e pakontestueshme se bombardimet do të evitoheshin sikur të ishte nënshkruar Marrëveshja e Rambouilletit.
“Sikur Millosheviqi të kishte pranuar versionin e parë të marrëveshjes së ofruar, shqiptarët e Kosovës do ta kishin refuzua dhe pastaj ata do ishin thyer derisa t’i kishte bindur Perëndimi që ta pranonin”, ka thënë për gazetën “blic “ të Beogradit, Vuk Drashkoviq.
“Pasi Millosheviqi e refuzoi, Madeleine Allbright erdhi e tërbuar në Paris dhe ne morëm një propozim më të pafavorshëm, por gjithsesi më i pranueshëm se bombat dhe humbja e Kosovës”, ka thënë ai.
“Millosheviqi thotë ‘jo’, por edhe Hashim Thaçi thotë ‘jo’. Shqiptarët lëshojnë pe. Bombat mbi Serbinë u pëlqenin dhe nuk deshën të bëheshin pengesë e bombardimeve”, ka theksuar Drashkoviq.
Sipas fjalëve të tij, Richard Holbrooke shkon në Beograd dhe i ofron Millosheviqit garanci me shkrim se Kosova do të mbetej nën Serbi.
“Ai e refuzon edhe këtë. Holbrooke e pyet: E dini ç’do të pasojë? Millosheviqi i përgjigjet gjakftohtë: “E di, pasojnë bombat e NATO-s’”, ka thënë Drashkoiviq.
Ai pohon se Millosheviqi nuk e ka dashur marrëveshjen, “vetëm aktronte ta donte” dhe për këtë arsye në Rambouillet kishte dërguar negociatorë pa emër e mbiemër, pa dije e përvojë dhe, thekson, vetëm Millan Millutinoviq ka qenë i arsyeshëm e i kualifikuar për negociata, por ai asgjë nuk guxonte të thoshte e të pranonte pa lejen e Millosheviqit.
Në pyetjen se po të ishte nënshkruar marrëveshja cili do të ishte fati i Kosovës, Drashkoviq përgjigjet:
“Një është e sigurt, bombardime të NATO-s nuk do të kishte pasur. Dhe me siguri Kosova do të kishte një status mbi autonominë, por jo statusin e shtetit të pavarur”.
Lexo edhe: Skandaloze: Komisioneri i BE-së, që na mashtroi për viza, refuzon mbrojtjen nga Policia e Kosovës
Në pyetjen se çfarë ka ditur për atë periudhë dhe për luftën dhe çfarë nuk ka ditur në atë kohë, Drashkoviq ka thënë:
“Nuk e kam ditur se po vriteshin civilë shqiptarë dhe që kufomat e tyre barteshin fshehtas nëpër Serbi dhe fshehtas varroseshin në poligonet e policisë në Beograd, nëpër lumenj e liqene”.