fbpx

Dorëheqjet që i paraprinë përçarjes së madhe në Vetëvendosje

  10 Dec 2017

Mesazhet që dolën në media, ku shiheshin fyerjet e Aida Dërgutit ndaj Albin Kurtit ishin një shpërfaqje e asaj që po ndodhë në këtë subjekt politik.

“E atë m****”, ishte pyetja e Aida Dërgutit kur u informua se Donika Kadaj-Bujupi ishte arrestuar nga Policia.

Kjo ngjalli reagime të shumta në rrjete sociale, ku disa u rreshtuan në krahë të deputetes së VV-së, e disa e “kryqëzuan” për sulmin ndaj ish-kryetarit të Vetëvendosjes,.

Por problemet në Lëvizjen Vetëvendosje kishin nisur kohë më parë me dorëheqje nga zyrtarë të lartë të kësaj partie.

Ishte deputetja e VV-së në mandatin e kaluar, Puhie Demaku e cila pak para zgjedhje parlamentare më 11 qershor konfirmoi largimin nga partia dhe nga politika në përgjethsi.

Ajo në facebook kishte shkruar se kjo po bëhej për arsye personale.

“Pas zhvillimeve te fundit ne skenen politike ne vendin tone, kam analizuar ne hollesi angazhimin tim ne jeten publike dhe dua te ju njoftoj se per arsye krejtesisht personale, do ta pauzoj angazhimin tim te drejtperdrejte ne politike. Duke marre ne konsiderate te gjithe faktoret e sidomos obligimet dhe pergjegjesite personale, une kam vendosur qe te ndjeke nje rruge profesionale jashte politikes, pa lene anash kontributin, per aq sa mundem dhe di, per te miren e kombit dhe avancimin e interesave te shtetit”, kishte shkruar në facebook ish-zyrtarja e VV-së.

Por dorëheqja e Demakut u bë më e dyshimtë pas postimit të djeshëm të Arben Gecajt, ish-anëtarit të Vetëvendosjes.

Gjatë ditës së djeshme ai shkroi në facebook se planin për rrëzimin e Albin Kurtit nga kreu i VV-së e kishte nisur Dardan Sejdiu, Shpend Ahmeti dhe Puhie Demaku.

E pas zgjedhjeve, saktësisht në muajin korrik, Dardan Molliqaj ishte dorëhequr nga pozita e sekretarit në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Fitorja e jashtëzakonshme e Lëvizjes tonë na ka vënë para vendimeve të reja. Prandaj, në konsultim me Kryetarin e Lëvizjes, z. Visar Ymeri si dhe strukturat tona, vendosa të jap dorëheqje nga pozicioni i Sekretarit Organizativ të Lëvizjes”, kishte shkruar Molliqaj në facebook pas zgjedhjeve parlamentare.

“Ju falënderoj nga zemra për angazhimin e pakursyer. Ju falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme. Për gatishmërinë që të punojmë së bashku edhe atëherë kur s’jemi pajtuar për gjithçka. Për gatishmërinë që të falim njëri-tjetrin sa herë që hidhërimet personale e pengonin punën tonë të përbashkët”, kishte thënë Molliqaj.

E pikërisht deputeti i VV-së që ishte njëri nga më të votuarit në zgjedhje qendrore, kishte qenë njëri nga personat në grupin e Viber ku kishte komunikuar me Aida Dërgutin dhe deputetët e tjerë.

Madje ai e kishte bërë “like”, postimin e Dërgutit ku shkruhej se në VV po synohej të krijohet një mënyrë e të menduarit.

E ishte vëllau i tij, Vlorian Molliqaj që në një postim në facebook kishte thënë se Albin Kurtin nuk duhet ta mbështesin vetëm pse është themelues i partisë. Sipas tij, më e rëndëisshme është ideja, se individët brenda partisë.

Dorëheqjet brenda VV-së vazhduan me Ylli Hoxhën, që ditë më parë u tërhoq nga posti i kryetarit të partisë në Prishtinë.

Në postimin e tij njoftues për vendimin që kishte marrë, Hoxha kishte shkruar se “fitorja në Prishtinë erdhi nga puna e palodhshme e Shpend Ahmetit”.

“Keto fitore u mundesuan nga konsistenca politike, parimesia e integriteti i lidershipit te organizates sone, nga puna e palodhshme e Shpendit dhe ekipit te tij, por edhe nga organizimi jone si strukture me qindra aktivist punetore, te dijshem, te perkushtuar e vetemohues te sistemuar lagje me lagje, e fashat me fshat”, kishte shkruar Hoxha.

“Sot, pas ketyre fitoreve, duhet te jemi te vetedijshem se kemi hy ne nje etape te re, ne nje nivel te ri, dhe organizates sone ne Prishtine i duhet energji e re! Duke qene I bindur se organizaten po e le me plot lidere potencial sot me kenaqesi e dorezoj detyren time si kryetar i organizates ne Prishtine!”, kishte thënë Ylli Hoxha.

E pas publikimit të mesazheve në rrjetin Viber, në media dolën disa letra që kishin komunikuar zyrtarë të ndryshëm të VV-së në lidhje me ofendimin e Dërgutit ndaj Kurtit.

Në këto letra ishte njoftuar se gjithashtu edhe Albulena Haxhiu e Donika Kadaj-Bujupi kishin dhënë dorëheqje nga pozita e anëtares së kryesisë së partisë.

“Për këtë mbledhje duhet marrë parasysh se 3 anëtarë të Kryesisë kanë dhënë tashmë dorëheqjen nga Kryesia (Albulena Haxhiu, Donika Kadaj dhe Ylli Hoxha) dhe në ndërkohë Albin Kurti e ka të pamundur pjesëmarrjen për shkak se regjimi e ka vendosur në paraburgim si pasojë e faktit që ai dhe deputetët e tjerë të Levizjes kanë dalë në mbrotje të Republikës”, shkruhej në letrën e Xhelal Sveçlës dhe Boiken Abazit drejtuar Ymerit më 3 dhjetor.

E gjithë kjo situatë kulmoi me publikimin e bisedave ku tregoheshin fyerjet e Aida Dërgutit ndaj Albin Kurtit.

Gjë që solli një ndarje ndërmjet dy taboreve në Vetëvendosje.

Reagimet për këtë përçarje po vijnë edhe sot.

Pikërisht Albulena Haxhiu theksoi se ofendimet e tilla janë të papranueshme.

Vlen të theksohet se është bërë e ditur që VV-ja shumë shpejt do t’i organizojë edhe zgjedhjet e brendshme.