Donika Kadaj Bujupi përjashtohet nga seanca gjyqësore!
Gjyqtari Beqir Kalludra, ka kërkuar përjashtimin e deputetës së Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Donika Kadaj Bujupi, nga seanca gjyqësore ndaj saj dhe tre deputetëve tjerë të këtij subjekti politik.
Këtë vendim, gjyqtari Kalludra e ka marrë pasi deputetja Kadaj Bujupi, shpërfilli kërkesën e gjyqtarit për mos parashtrim të një pyetje.
E gjithë ngjarja ndodhi gjatë kohës kur para trupit gjykues po rrëfente në cilësi të dëshmitarit, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Nuredin Ibishi, i cili prezantoi verzionin e tij rreth rastit të gazit lotsjellës, raporton GazetaBlic.com
Kadaj Bujupi, e akuzuar për këtë rast bëri përpjekje të marrë një përgjigje nga deputeti Ibishi, lidhur me një rast që kishte ndodhur vite më parë, por ajo u ndërpre nga gjyqtari Kalludra, i cili urdhëroi policinë për largimin e saj nga salla ku po gjykohen deputetët tjerë të VV-së.
“Urdhëroi policinë për largim të menjëhershëm të të akuzuares Donika Kadaj Bujupi. ky vendim vlenë deri në seancën e radhës gjyqësore, për datën e të cilën do të njoftoheni më pas”, ka thënë Kalludra.
Më tej gjykatësi, i ka kërkuar falje Ibishit dhe i ka thënë se ajo që tha Kadaj-Bujupi ishte e pavend, prandaj edhe e largoi nga salla.
Në këtë seancë në cilësi të dëshmitarëve, u rrëfyen edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Flora Brovina, Blerta Deliu dhe Xhavit Haliti.
Të akuzuar për gazin lotsjellës janë katër deputetët e VV-së, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj Bujupi dhe Faton Topalli. /Gazeta Blic/