fbpx
“Doni të dini shumë”/ Lajçak tregon arsyen pse u takua me kryeministrin Kurtin dy herë

“Doni të dini shumë”/ Lajçak tregon arsyen pse u takua me kryeministrin Kurtin dy herë

  17 Sep 2021

Takimi i dytë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ishte i fundit që zhvilloi në Kosovë gjatë vizitës së tij tri-ditore përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

I pyetur se cila ishte arsyeja e një takimi të dytë me Kurtin, Lajçak tha se kështu ishin pajtuar që në fillim, që të diskutojnë edhe një herë para se ai të vazhdonte vizitën e tij në Beograd.

“U takova me z.Kurti dhe z.Bislimi dy herë, sepse kështu ishim pajtuar. Që të diskutojmë agjendën në fillim dhe se do të takohemi edhe njëherë në fund të vizitës sime që të bëjmë të qartë se do të kemi pajtime në hapat e ardhshëm. Do të jem në Beograd të hënën e të martën, do të vazhdoj edhe atje diskutimet me partitë atje për dialogun”, tha Lajçak.

Në pyetjen e gazetarëve se nëse ka një draft të parë të marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, Lajçak duke qeshur u përgjigj duke thënë se “Doni të dini shumë”.

***

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se takimet që pati në Kosovë ishin të dobishme.

Ai para gazetarëve foli edhe për hapjen e arkivave dhe për deklaratën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi tha se u keqkuptua në Kosovë.

“Bislimi më tha se nuk ka arkiva të UÇK-së, por vetëm arkiv shtetëror”.

Lajçak për këtë çështje shtoi se s’ka pasë diskutime specifike në mes të Bislimit dhe Petar Petkoviqit nga pala serbe.

Emisari europian foli edhe për takimet me opozitën që pati.

“Është e rëndësishme për opozitën që të luajnë rol në dialog dhe të kuptojnë rëndësinë e dialogut për Kosovën dhe e bënë të qartë se do ta mbështesin procesin dhe qeverinë dhe të angazhohen në dialog. Edhe komuniteti i biznesit e ka kuptuar se sa i rëndësishëm është dialogu për Kosovën dhe ekonominë e saj”.

Ndërkaq, Lajçak tha se takimi i ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë do të caktohet pasi të flasë edhe me palën serbe.

“Kemi folur për datat e mundshme dhe sigurisht për këtë duhet të diskutojmë edhe në Beograd para se të lëshojmë diçka. Gjithmonë është rrezik të flitet për datën dhe kohën e mundshme të arritjes së marrëveshjes. Por, ajo çka është e rëndësishme se të dyja palët janë të angazhuara në këtë diskutim dhe është shumë e ndjeshme, por procesi është duke shkuar përpara dhe kjo është më e rëndësishmja”.

***

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka arritur në ndërtesën e qeverisë së Kosovës.

Aty pritet të takohet me kryeministrin Albin Kurti.

Ky është takimi i dytë i Lajçak me kryeministrin Kurti.

Ata ishin takuar edhe ditën e parë të qëndrimit të Lajçak në Kosovë.