fbpx

DOGANA KONFIRMON TENTIMIN E ABRASHIT PËR T’IU SHMANGUR TAKSAVE

  02 Nov 2017

Kishte qenë viti 2012, kur kompania “Laris Group” në pronësi të kandidatit të LDK-së, për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi kishte importuar “Vodka” dhe “Gin” në Kosovë.

Kompania e Abrashit e kishte deklaruar një shumë të vlerës së këtyre produkteve por shuma e deklaruar nuk ishte në përputhje me shumën reale të produkteve.

Një vendim i publikuar nga Vetëvendosje disa ditë më parë, tregonte sesi Doganat e Kosovës, kanë gjetur se kompania në pronësi të kandidatit të LDK-së, kishte paraqitur cmim më të ulët sesa që ishte vlera e tregut.

Dogana e Kosovës ia ka konfirmuar Insajderit, se kompania e Abrashit ka paraqitur vlerën e produkteve në shumë prej 8 mijë e 600 euro por në fakt ishte 11 mijë euro. Kësisoj, kompania e Abrashit ka dashur të mos i paguaj shtetit më shumë se 800 euro.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka shpjeguar në detaje gjithë këtë histori.

“Vlera e deklaruar ka qene rreth 8600 euro derisa zyra doganore e ka rritur vlerën e importit ne rreth 11.000 pastaj derisa vlera e kontestit për ketë rast ishte rreth 800 euro (taksa) subjekti ka parashtruar një kërkesë për rishqyrtim e rastit pasi pretendon që është vlera e tij reale”, ka thënë Stavileci.

Ai ka sqaruar se ky veprim nuk është ndonjë kundërvajtje doganore.

“ Nuk kemi te bëjmë me kundërvajtje doganore, ky është një kontest i zakonshme ne doganën e Kosovës pasi kompania ka deklaruar derisa ne si dogane mendojmë qe vlera e këtyre mallrave është me e larte sipas tregut vendor”, ka thënë Stavileci.

Insajderi ka dërguar pyetje tek ekipi i Abrashit për të sqaruar këtë histori të kompanisë së Abrashit me Doganën e Kosovës, por ende nuk ka marrë përgjigje./