fbpx

Dëshmitari tregon para gjykatës për kërcënimet që iu bënë për rastin “Medicus”

  19 Dec 2017


Në gjykimin e sotëm të rastit “Medicus”, u ftua si dëshmitar një familjar i të akuzuarit për transplantim ilegal të veshkave, Lutfi Dervishit. Bëhet fjalë për Emin Sylajn, i cili është nip i gruas së të akuzuarit dhe i cili 9 vjet më parë kishte dalë para gjykatës si i dyshuar për rastin e njëjtë

Para trupit gjykues të EULEX’it sot dha dëshminë e tij Emin Sylaj, nipi i gruas së të akuzuarit për transplantim të paligjshëm të veshkave në spitalin “Medicus”, Lutfi Dervishit.

Gazeta Express ka përcjellë dëshminë e tij të dhënë të martën në Gjykatën Themelore të Prishtinës lidhur me aferën “Medicus”.Sylaj në vitin 2008 kishte dhënë dëshmi para policisë në cilësinë e të dyshuarit, por tani ishte ftuar në Gjykatë në cilësinë e dëshmitarit. Mjek me profesion, por në 2008’ën vetëm student i mjekësisë, u dyshua se kishte ndihmuar Lutfi Dervishin në veprimtarinë e tij, duke i dërguar dhe marrë pacientët nga klinika “Medicus” për në Aeroportin e Prishtinës dhe anasjelltas.Shtëpia ku ka jetuar Emin Sylaj ishte vetëm 200 metra larg klinikës “Medicus”. Ai tani jeton dhe vepron në Gjermani, shkruan Gazeta Express.Në vitin 2008, kur klinika “Medicus” u bastis nga policia, Sylaj ishte marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit. Duke dhënë deklaratën e tij në polici, atij iu është lexuar betimi i dëshmitarit, jo i të dyshuarit ashtu siç duhej sipas ligjit.Dëshmitari, në gjykimin e sotëm të këtij rasti, disa herë e përmendi se gjatë dhënies së dëshmisë së tij në vitin 2008, ai ishte kërcënuar nga policia se do ta rrahin dhe do ta fusin në burg.“Si 21-vjeçar, asnjëherë nuk kam qenë në polici, asnjëherë nuk kam pasur probleme me ligji. Për mua ka qenë tmerr se si më kanë trajtuar policia atë kohë. Unë nuk e dija se për çka merresha në pyetje në atë formë”, tha Emin Sylaj.Ai u pyet nga prokurorja e EULEX, Valeria Bolici, se a e kishte ndihmuar ndonjëherë Lutfi Dervishin në veprimtarinë e tij, duke i dërguar ose marrë pacientët e huaj që vinin në Kosovë për të kryer transplantime ose kontrolle në klinikën “Medicus”. Kjo pyetje iu parashtrua dëshmitarit pasi në deklaratën e tij të dhënë në polici kishte thënë se ka bërë bartjen e disa pacientëve ose mjekëve nga Aeroporti i Prishtinës për në “Medicus” në Vushtrri dhe anasjelltas.Sot, tetë vite më vonë, ai tha se nuk e ka thënë një gjë të tillë në polici, por vetëm se tregoi se ka qenë një rast kur ai kishte ndihmuar pacientët duke i dërguar nga “Medicus” për në Aeroport, mirëpo për këtë tha se nuk e ka bërë se i ka thënë ndokush, por e kishte bërë për shkak të respektit ndaj Lutfi Dervishit.Duke qenë se shtëpia ku ka jetuar Sylaj ka qenë afër klinikës “Medicus”, ai tregoi se një herë i ka parë dy persona duke qëndruar në rrugë duke pritur taksi.“Unë kam qenë duke shkuar në Fushë Kosovë që të blej diçka, ata më ndalën dhe kërkuan nga unë që t’ua jap ndonjë numër të ndonjë taksie, pasi që ajo firmë të cilën ishin duke e pritur ishte vonuar shumë dhe ata nuk kishin kohë të prisnin më tepër. Aty e kuptova se ata kishin qenë te klinika e Lutfi Dervishit. Atë kohë rruga ka qenë duke u ristrukturuar dhe ishte normale që taksia të vonohej, andaj desha t’u bëj një nder dhe për shkak të respektit ndaj Dervishit i mora dhe i dërgova në Aeroportin e Prishtinës”, tregoi dëshmitari, duke theksuar se kjo ka qenë hera e vetme që kishte dërguar dikë nga klinika në aeroport.Kurse, për deklaratën e dhënë atëbotë në polici, Sylaj tha se ka qenë në presion të madh nga policia, pasi, sipas tij, të njëjtët e kanë kërcënuar se do ta rrahin dhe do ta fusin në burg.“Kam qenë në presion sepse s’kam qenë kurrë në polici, bile s’më kujtohet a e kam lexuar deklaratën para se ta nënshkruaj. Veç e kam nënshkruar se më thanë se kur ta nënshkruaj letrën do të lirohem”, tha dëshmitari, familjar i Lutfi Dervishit.Kur u pyet për rolin e Arban Dervishit, djalit të Lutfi Dervishit, dëshmitari tha se atë kohë Arbani ka qenë ekonomist dhe se nuk e ka ditur e as tani nuk e di rolin e tij që ka mundur ta ketë ai në klinikën “Medicus”.Aktakuza e Prokurorisë thotë se Emin Sylaj, pos që ishte në marrëdhënie familjare me Lutfi dhe Arban Dervishin, ai ndonjëherë u ka ndihmuar atyre duke shkuar në aeroport për të marrë pacientë që vinin në klinikë për trajtim mjekësor. Kështu, sipas aktakuzës, Sylaj njëherë kishte marrë një mjek të Turqisë dhe pacientët dhe i ka dërguar në spitalin/klinikën “Medicus” në Vushtrri.Për këto akuza, Sylaj në dëshminë e tij të dhënë më 2011, por edhe sot, tha se nuk ka takuar asnjë mjek turk, e as pacientë. Ai i mohoi të gjitha këto akuza që ishin bërë ndaj tij në kohën kur ai u trajtua si i dyshuar.Në këtë rast gjyqësor, Lutfi Dervishi që ishte pronar i klinikës “Medicus”, aty ku dyshohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor. Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet. Këta ishin akuzuar për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve në Kosovë në vitin 2008.