Dëshmitari tregon ku e pa Limajn ditën kur u vranë Ramiz Hoxha e Selman Binishi
Në gjykimin e Fatmir Limajt, i cili akuzohet për krime lufte, lidhur me vrasjen e dy civilëve në zonën e Malishevës, dëshmuan tre persona.
Tre dëshmitarët dhanë versionin e tyre për vrasjen e Ramiz Hoxhës nga Bellanica dhe Selman Binishit nga Banja më 2 tetor 1998.
Në Gjykatën e Gjakovës Nuhi Binishi tregoi se si mësoi se është vrarë vëllai i tij, Selmani.
Dëshmitari tha se nuk ka qenë i pranishëm kur nga persona të maskuar është marrë vëllai i tij në Bellanicë, por tregoi momentin kur e ka parë atë të vrarë.
“Kam dëgjuar nga Nazmiu se vëllau im Selmani është vrarë në rrugën që çon në Semetisht. Kur kam shku atje e kam parë vëllain tim të vrarë. Fytyrën e kishte të mbuluar me një degë lisi me dushk. Prapa kokës ishte i goditur dhe gjoksin e kishte të mbuluar me gjak”, tha dëshmitari Nuhi Binishi.
Po ashtu, ai para trupit gjykues tha se të ndjerin e kishin varrosur brenda ditës ashtu siç ishte, “në mënyrë që sadopak të ruheshin gjurmët që më pas të zbardhim fatin e vrasjes”.
Dëshmitari tregoi se pas disa ditësh trupi i vëllait të tij ishte zhvarrosur nga disa persona, siç tha ai, “me uniforma të UN-it”. Ai shtoi se asnjëherë nuk ka marrë ndonjë raport për këtë punë.
“Ne si familje nuk kemi marrë asnjë raport nga UN se çka kanë konstatu ata. Por, verbalisht nga një femër kur e kam pyetur më ka thënë se vëllai yt ka vdekur nga arma e zjarrit”, deklaroi Nuhi Binishi.
Po ashtu, gjatë dëshmisë së tij Nuhiu tha të ketë pyetur edhe zyrën e Adem Demaçit në Prishtinë lidhur me vrasjen e vëllait të tij.
“Jo shumë pas vrasjes kam shkuar në Prishtinë, në zyrën e Adem Demaçit. Aty nuk e kam gjetur Ademin por një person tjetër të panjohur. Ai më ka dhënë një numër të telefonit për kontakt, e kam telefonuar 2 herë por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Herën e tretë kur e kam thirrë atë numër, më ka thënë: mos thirr ma sepse për disa raste nuk kthejnë përgjigje. Unë nuk kam qenë në dijeni se kujt do t’i drejtohet dhe kush nuk ka kthyer përgjigjen për vëllaun tim të vrarë”, shtoi dëshmitari.
Rreth rastit Nuhi Binishi tha të ketë kërkuar informacion edhe nga vetë i akuzuari Fatmir Limaj.
“Kur ka qenë për ngushëllime Fatmiri, e kam pyet edhe i kam thanë se vëllain tim nuk e kanë vra dikush nga Shqipëria as nga Drenica. Fatmiri më ka thënë se mund të jetë ndonjë shërbim sekret dhe se e ka një shok në shërbim sekret dhe do ta pyes. Asnjëherë nuk më ka kthyer përgjigje për këtë punë”, përfundoi Nuhi Binishi.
Ndërsa, vëllai i Ramiz Hoxhës së vrarë, Hajrizi, tregoi për një takim që kishin zhvilluar me policinë serbe te “Shupa” e Banjës disa ditë para vrasjes.
Ai tha se në atë takim ka qenë ai, vëllai i tij i ndjerë, hoxha i Bellanicës, gjithsej 14 veta nga Bellanica.
“Jemi ardhur këtu në fshat, tha burra kështu është puna. Dikush me shku e dikush mos me shku, dikush anej e dikush knej, e tash e caktuam krejt katuni me shku, veç mos me marrë kurrfarë obligime. E jena shku 14 veta. Në listën e këtyre 14 vetave kam qenë edhe unë, edhe vëllai”, theksoi Hajriz Hoxha.
Më pas Hajrizi tha se kanë dalë fjalë në fshat se ne jemi duke bashkëpunuar me forcat serbe.“Kur jemi kthyer, kemi biseduar në xhami për këtë punë dhe ka rrjedhë fjala se ne Bellanica u kemi dhënë para dhe armë serbëve dhe se gjoja kemi bërë marrëveshje me forcat serbe, e cila nuk ishte e vërtetë. Atë ditë forcat serbe janë tërhequr nga “Shupa” e Banjës”, tha Hajriz Hoxha.
Ndonëse thotë të ketë pasur raporte shumë të mira më të atin e Fatmir Limaj, në një cermoni mortore Hajriz Hoxha tha se i ka kërkuar sqarim për vrasjen e vëllait të tij.
“I kam thanë Kadri Limës, bani të fala djalit tan Fatmirit, edhe thuj mem jap sqarime a ka qenë vëllau im tradhtar e të shkoj te vorri i tij me famlije ta dënojë për së vdekuri ose duhet me dhanë llogari se kush e ka vra dhe pse”, tha dëshmitari.
Sot para Gjykatës ka dëshmuar edhe djali i të ndjerit Ramiz Hoxha, Enveri.
Ai rrëfeu për atë që kishte parë në ditën kritike, për takimin që ka pasur me të akuzuarin gjatë kohës kur ishte njoftuar se babain e tij e kanë rrëmbyer disa persona me maska.
“Kur kam dalë afër xhamisë e kam pa në kerr babën Ramizin, axhën Hajrizin dhe nje kushëri, Ejupin. I kam parë në dalje të fshatit në një “Golf 2” të ulur mbrapa, kerri tu ecë dy ushtarë të armatosur i shkojshin kerrit përmas dhe armët duke i drejtuar nga populli”, rrëfeu Enver Hoxha.
Enveri po ashtu tregoi edhe për takimin që ka pasur me Fatmir Limajn gjatë kohës kur ishte vënë në ndjekje të personave të maskuar që i kishin marrë të atin.
“Ejupi ka hyrë me mu në automjet dhe jemi nisur në drejtim të Banjës. Te “Shupa” e Banjës e kam taku Fatmir Limajn me gjithë një tjetër që atëherë s’e kam njohur e tash e di se ka qenë Skënder Hoti. Jam ndal e kam pyet personalisht Fatmirin: mos e ke parë një kerr, nuk i ka 2 minuta që ka shku këndej. Ky më tha: jo. Ka qenë i ulur ka shoferi ndërsa personi tjetër ka qenë i ulur në karriken e parë afër shoferit, me tesha të zeza sikur ata personat që e kishin marrë babën tem”, tha ai.
Më tej, dëshmitari tha se kur i thanë se nuk e kanë parë kerrin atëherë ishte nisur në drejtim të Banjës.
“Me qenë se forcat serbe kanë qenë të pozicionuara në Malishevë e kam ditë që nuk kanë mundur të shkojnë andej, jam kthy për në fshatin Kërvasari. Dhe pa hyrë në fshatin Kërvasari e kam pa babën të vrarë, edhe ni person tjetër që nuk e kam njoftë e tash e di që është Selman Binishi”, tha djali i të ndjerit Ramiz Hoxha.
Gjykata ia kishte ndaluar gazetarit të KALLXO.com të incizonte me kamerë gjatë dëshmisë së dëshmitarëve.
Gjykimi do të vazhdojë nesër me dëgjimin e disa dëshmitarëve të tjerë.