Dëshmitari për vrasjen e Donjeta Pajazitajt zbulon detaje nga vrasja e saj, ja çfarë bëri i akuzuari
Dëshmitari Azem Pajazitaj, ka deklaruar se pasi ka kaluar Donjeta Pajazitaj te vendi i quajtur “Drum”, Naser Pajazitaj, ka shkuar pas saj.Ky dëshmitar e ka dhënë dëshminë e tij, në shqyrtimin gjyqësor, i cili ka vazhduar të enjten, në Gjykatën Themelore në Pejë, ndaj Naser Pajazitaj, i akuzuar se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore ka privuar nga jeta Donjeta Pajazitajn.Dëshmitari Azem Pajazitaj, ka treguar momentin, kur sipas tij, tani i akuzuari ka shkuar pas tani të ndjerës.
Ai ka thënë se te vendi i quajtur “Drum”, kanë qenë duke u tubuar me bashkëfshatarë, për të shkuar në varrimin e Shefqet Zeqës, i cili kishte vdekur në ditën kur është zhdukur Donjeta Pajazitaj. Ai tha se aty ka kaluar Donjeta Pajazitaj, e cila sipas tij, pasi i ka përshëndetur të gjithë, ka vazhduar rrugën për te lagja e “Jusajve”.“Pasi erdh Donjeta me mixhen Qamil edhe na përshëndeti, ajo vazhdoi rrugën ka lagja e Jusajve, diku 3 apo 4 minuta më vonë, Naseri ka shku me veturën e tij ”Jeep”, në të njëjtën lagje”, tha dëshmitari Azem Pajazitaj, i cili tha se nuk e ka pyetur të akuzuarin, se ku po shkon dhe as ai nuk i ka treguar.Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Valbona Disha-Haxhosaj, dëshmitari Azem Pajazitaj deklaroi se në varrimin e Shefqet Zeqës, nuk e ka parë të akuzuarin, e gjithashtu nuk ka parë ndonjë veturë tjetër të këtë shkuar në lagjen e “Jusajve”, pas asaj që e voziste Naser Pajazitaj.Dëshmitari tha se po atë ditë, Jetmir Pajazitaj e kishte blerë një veturë të markës “Jeep” dhe së bashku me Kushtrim Pajazitaj (që të dy kanë qenë dëshmitarë në këtë proces gjyqësor), kanë shkuar deri tek vetura që ta shohin, e më pas menjëherë janë kthyer te vendi i quajtur “Drum”, për t’u tubuar me bashkëfshatarët e tjerë.“Kur kem shku me pa “Jeep-in”, nuk kena vonu shumë dhe menjëherë jemi kthy te ‘Drumi’, ku edhe kam qëndru deri në ora 13:40, e më pas jam nis për varreza, ka lagja e ‘Kamajve’”, tha ai.Gjithashtu, i njëjti shtoi se aq sa i kujtohet atë ditë, i akuzuari Naser Pajazitaj, nuk ka pasur paterica me vete.Ndaj këtij dëshmitari, ka parashtruar pyetje edhe i dëmtuari, Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i tani të ndjerës, Donjeta Pajazitaj. “A i ke thon Naserit se vetëm ti mund të dish se çfarë i ka ndodhur Donjetës, pasi që vetëm ti ke shku pas saj”, ishte pyetja e të dëmtuarit, derisa ky dëshmitar tha se asnjëherë nuk ia ka thënë këto Naser Pajazitajt.Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Gëzim Kollçaku, se ku kanë shkuar atë ditë me veturën “Jeep” të Jetmirit, dëshmitari tha se kanë shkuar me veturën e markës “Mercedes”, e jo siç thotë avokati.Në këtë shqyrtim janë dëgjuar edhe dëshmitarët Kastriot Pajazitaj, Agim Zekaj dhe Sami Rabushaj.Dëshmitari Kastriot Pajazitaj, deklaroi se ditën kur është bërë varrimi i Shefqet Zeqës, para se të shkoi në shkollë, në ora 12:10, thotë të ketë shkuar te vendi i quajtur “Drum”, ku aty i ka takuar disa bashkëfshatarë, ndër ta edhe të akuzuarin Naser Pajazitaj.“Naseri ka fol me dikon në telefon, po unë nuk e di se çka, pasi që jom kon ty fol me Kushtrimin, kur e ka kry bisedën. Kushtrimi e ka vet se me kon fole, Naseri i ka thon me vjehrrën se më paska ardhë prej Amerikës”, tha dëshmitari Kastriot Pajazitaj.
Ai tha se Donjeta Pajazitajn asnjëherë nuk e ka parë në veturën e tani të akuzuarit.
Në pyetjen e të dëmtuarit, Shkëlqim Pajazitaj, “se a është e vërtet se ti e ke dëgjuar Naserin duke i thënë dikujt në telefon, se ‘brenda 10 – 15 minutave kryhet kjo punë’, dëshmitari mohoi të ketë përmendur ndonjëherë një gjë të tillë.Kurse, Agim Zekaj, në dëshminë e tij, ka deklaruar se të akuzuarin Naser Pajazitaj, e ka të afërm (burri i tezakes së tij), ndërsa për zhdukjen e Donjeta Pajazitajt thotë se ka dëgjuar kur ka shkuar te i akuzuari që t’ia urojë fejesën e vajzës.Në pyetjen e prokurores Disha-Haxhosaj, se me 8 nëntor 2015, në ora 16:52 dhe 22:36, çfarë ka biseduar në telefon me të akuzuarin, dëshmitari tha se nuk i kujtohet.
Dëshmitari Zekaj, më pas ka treguar se si pas arrestimit të të akuzuarit, ka shkuar te shtëpia e Naser Pajazitajt dhe e ka marrë gruan e të akuzuarit në shtëpinë e vet.
Ai thotë se ajo i ka treguar se si te stacioni i trenit në Pejë, e ka parë një vajzë me flokë të bardha, por që nuk e din se a ka qenë Donjeta Pajazitaj.Dëshmitari Sami Rabushaj, njëherësh kushëri me të akuzuarin dhe palën e dëmtuar, ka treguar se shtëpinë e ka përballë me shtëpinë e tani të ndjerës. Ai thotë se asnjëherë nuk e ka parë ta ketë sjellë apo marrë dikush i huaj Donjeta Pajazitajn me ndonjë veturë.Më pas ai ka sqaruar se si ditën e varrimit të Shefqet Zeqës, i ka parë bashkëfshatarët te “Drumi”, ndër ta edhe të akuzuarin, të cilit thotë ti jetë drejtuar me fjalët: “A po vini në varrim”, ndërsa i akuzuari Naseri, thotë se i është përgjigjur “Qe edhe pak se është herët”.Ai më pas shtoi se të akuzuarin nuk e ka parë në varrim e gjithashtu atë ditë nuk e ka parë as tani të ndjerën.Në pyetjen e prokurores Disha-Haxhosaj, nëse e ka vozitur dikush tjetër veturën “Jeep” të të akuzuarit Naser Pajazitaj dhe se për çfarë e ka shfrytëzuar i akuzuari më shpesh këtë veturë, dëshmitari deklaroi se nuk e ka vozitur askush tjetër këtë veturë dhe të njëjtën tha se i akuzuari e ka përdorur kur ka shkuar në bjeshkët e fshatit Strellc, për të punuar stane për të tjerët.Pas përfundimit të deklaratave të dëshmitarëve, prokuroja Disha-Haxhosaj i ka propozuar gjykatës, që me urdhëresë të nxirret hartografia e numrit të telefonit të Donjeta Pajazitajt, nga 8 nëntori 2015 e gjerë me 17 dhjetorë 2015.Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gëzim Kollçaku, i ka propozuar gjykatës qe të dëgjohen si dëshmitarë, dëshmitarët Sofe dhe Dardan Berisha, të cilat propozime edhe i ka aprovuar gjykatësi, Sylë Lokaj.Seanca e radhës është caktuar me 9 nëntor 2017, në ora 13:00, ku do të verifikohet adresa e vendbanimit të dëshmitarëve Arjeta Ukaj, Selim Jusaj, Teuta Avdimetaj, Ajdin Kamishaj, Idriz Gashi, Adnan Milaj, Brahim Jusaj dhe Zeqir Zeqaj.Pas verifikimit të adresës së banimit, gjykatësi Lokaj, konstatoi se në qoftë se të njëjtit nuk do të vijnë në gjykatë për të dëshmuar, Policia e Kosovës do të urdhërohet t’i sjellë me detyrim.Paraprakisht në këtë seancë, kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, ka konstatuar se meqë prokurorja Disha-Haxhosaj me parashtresën dërguar gjykatës më 25 tetor 2017, ka propozuar që në cilësinë e palës së dëmtuar të evidentohet edhe vëllai i të ndjerës, Shkëlqim Pajazitaj, gjykata këtë kërkesë e ka aprovuar.Ndryshe, sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, Naser Pajazitaj akuzohet se me 9 nëntor 2015 rreth orës 14:30 në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore ka privuar nga jeta të ndjerën Donjeta Pajazitaj.Sipas aktakuzës, derisa e ndjera ka qenë duke shkuar në punë në këmbë, aty kalon i pandehuri me veturën e tij, e merr të ndjerën, e dërgon në bjeshkët e lartcekura, ku fillimisht e privon nga jeta duke shtënë dy herë në kokën e saj, e më pas për të humbur gjurmët të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes. Trupi i të ndjerës gjendet pas më shumë se një muaji.Me këtë, Pajazitaj akuzohet se ka kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë”, nga neni 179 par 1 pika1.4 dhe 1.12 të KPRK-së.Aktakuza të njëjtin e ngarkon edhe me vepër penale të “mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim te paautorizuar të armëve” nga neni 374 par 1 të KPRK-së, gjegjësisht të një arme automatike, pushkës se gjuetisë, 12 fishekë dhe një armë e tipit AK 47.