Grafitet që dikur i kanë shkruar për oponentët politikë, sot i kanë adresuar ndaj njerëzve të partisë së tyre. Në muret e selisë së Vetëvendosjes, të enjten, janë shkruar grafite, që nga përshkrimi i tyre, duket të jenë kundër Albin Kurtit dhe mundësisë që ai të rikthehet në krye të partisë.
Por, këto grafite të vendosura në shumë pjesë të kryeqytetit, i cilëson si të pranueshme anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, raporton KTV.
“Në Lëvizjen Vetëvendosje, nuk ka babë, realisht ka ide. Ato ide janë brumosur që nga ditët e para të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Sveçla.
Ai nuk përjashton mundësinë e ndarjes së partisë dhe largimit nga Vetëvendosja të Dardan Molliqajt, të cilin e quan shantazhues.
“Janë një grup prej tyre që kanë kërkuar përmes shantazhit që në procesin e ardhshëm zgjedhor për kryetar të VV-së të mos jetë Albin Kurti. Dardan Molliqaj ka deklaruar që nëse Kurti kandidon dhe ne besojmë që do të zgjidhjet nëse ai kandidon, Molliqaj ka thënë se do të largohet nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Sveçla.
Sveçla ka thënë se gjatë ditëve në vijim, do të thërrasin mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, në përpjekje për të zgjidhur problemet në parti.
Ndërkohë, në seancën e sotme të Kuvendit, deputetët e Vetëvendosjes kishin komunikim të ftohtë me të parin e partisë, Visar Ymeri.
I vetmi që komunikoi me të gjatë kohës sa ishte në seancë ishte deputeti Dardan Sejdiu.
Theme : Good News Lite