fbpx

DEPUTETI I VV-SË THOTË SE KA PASUR SHANTAZHE QË KURTI TË MOS KANDIDOJË PËR KRYETAR

  08 Dec 2017

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka lëshuar akuza për bashkëpartiakët e tij se kanë përdorur shantazhe me qëllimin që të mos kandidojë Albin Kurti për kryetar të Vetëvendosjes.

“Fatkeqësisht, më duhet ta pranoj këtu, se ka pasur nga ata që kanë vendosur kushte dhe kanë bërë shantazh, me të vetmin qëllim që të mos kandidojë Albin Kurti për kryetar të Lëvizjes. Për të gjitha këto do të duhej të diskutonim në forumet e brendshme të Lëvizjes, mirëpo dikush ka qenë i interesuar të tentojë t’i bllokojë forumet e brendshme për të pamundësuar mbajtjen e mbledhjeve të Kryesisë”, ka shkruar Sveçla në një shkrim të tij në Facebook.

Më tutje Sveçla ka folur edhe për mos mbajtjen e mbledhjeve të partisë, ku sipas tij as nuk po formohet kuorumi i mjaftueshëm.

“Që një kohë të gjatë nuk po mbahen mbledhje të rregullta në secilën javë, e shpesh nuk po krijohet as kuorumi i duhur. Sot që flasim ka ardhur koha për një Këshill të Përgjithshëm të rregullt, e as Këshilli i Përgjithshëm nuk po thirret”, ka shkruar ai.

Mos mbajtën e këtyre mbledhjeve Sveçla e ka lidhur edhe me detyrimet që anëtarët e kësaj partie kanë për raportimin për punën e bërë.

“Pse nuk po mblidhen forumet e Lëvizjes, pse nuk po bëhet mbledhje e Kryesisë edhe pse e kemi kërkuar prej më shumë se një jave? Ndoshta për shkak se neve kemi kërkuar raportim për punën e bërë nga të gjithë, si edhe nga drejtuesit e sekretariateve. Pavarësisht kësaj situate, të jeni të bindur që në Lëvizjen VETËVENDOSJE! do të mbretërojë demokracia e brendshme, dhe do të respektohet Statuti dhe Rregulloret e brendshme”.

 

“Hakmarrja, shantazhi, shpifja dhe diktati që është provuar të përdoret nga një pjesë shumë e vogël e organizatës, prej sot do të marrë fund. Bashkë me anëtarët e Kryesisë, bashkë me deputetët, bashkë me kryetarët e komunave, bashkë me asambleistët, bashkë me dhjetëra mijëra aktivistë ne do të angazhohemi që të rikthehet parimësia dhe funksionimi i rregullt”, ka shkruar Sveçla