Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka theksuar se Qeveria “Haradinaj” është një ekzekutiv joproduktiv dhe kaotik.
Ai në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se vendimet kryesore që i ka marrë kjo Qeveri, janë vendime ad – hoc, të paanalizuara mirë dhe shqetësuese.
“Kulminacioni i skandaleve është emërimi i një numri kaq të madh të zëvendësministrave. Sot në takim me kryeministrin, më shumë dukej një protestë e zëvendësministrave. Janë 70 persona badihavxhinj, të cilët deri tash s’e kanë pasur as përshkrimin bazik të punës. Ata janë aty për pazare politike. Madje, këtë po e pranojnë edhe vetë. Njëra prej ministrive i ka 6 zëvendësministra, ku përveç që kanë rritur numrin e njerëzve të punësuar, i kanë rritur edhe pagat.
Ky është akti më i turpshëm, sepse në këtë ambient ekonomik që është Kosova t’i dyfishosh pagat është e pakuptimtë. Ne kemi kërkuar një ligj që t’i nivelizojmë dhe jo t’i rrisim pagat”, ka shtuar Abdixhiku.Ai ka shtuar se vendimet e kësaj Qeverie po merren në mënyrë anarkike, duke u bazuar jo në fakte dhe ligj, por në teke personale.“Për të thënë shkurt, kjo është Qeveria më anarkike dhe më e paorganizuar. Nuk ka rregull në organizim në mënyrën se si punon ajo. Kryeministri jep një datë, ministri një tjetër, për punët që do të bëhen”, ka thënë Abdixhiku.