DEPUTETËT REFUZUAN TË PËRKRAHIN 6 MIJË E 195 FËMIJË ME NEVOJA TË VEÇANTA

  25 Dec 2017

Deputetët refuzuan të përkrahin 6 mijë e 195 fëmijë me nevoja të veçanta

Për një votë nuk kaloi amendamenti që do ta obligonte qeverinë e Kosovës të paguajë asistentët ose mësuesit plotësues për fëmijët me nevoja të veçanta nëpër shkollat publike.

Në seancën parlamentare të së premtes, 42 deputetë votuan kundër, ndërsa 41 të tjerë pro këtij amendamenti të iniciuar nga deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, raporton KTV.

Nagavci thotë se kjo gjendje është shqetësuese dhe mospagesa e këtyre asistentëve nga shteti nënkupton që fëmijët me nevoja të veçanta po anashkalohen nga shoqëria.

“Mendoj se ishte komplet një papërgjegjësi totale dhe shuma nuk ishte e papërballueshme”, thotë Nagavci.

Ky vendim i Kuvendit i ka lënë pa shpresë prindërit e 6 mijë e 195 fëmijëve të regjistruar në arsimin gjithëpërfshirës.

Sikurse deri tash, edhe më tutje do të duhet të paguajnë asistentët për fëmijët e tyre që për shumëkënd është e papërballueshme.

Në kategorinë e fëmijëve me nevoja të veçanta, hyjnë edhe fëmijët me zhvillim të vonshëm e të cilët shpeshherë janë vështirë më të menaxhueshëm për mësimdhënësit.

 

Rrëzimi i këtij amendamenti hodhi poshtë edhe premtimin i ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi, i cili u zotua të punojë më shumë për këta nxënës.

Prindër të shumtë janë ankuar nëpër komunat ku jetojnë, por zyrtarët komunalë fajin e kanë hedhur te Ministria e Arsimit. Ministria e Arsimit nuk e pranoi këtë përgjegjësi dhe kështu siç ndodh shpesh, faji mbetet i askujt.

 

Po të miratohej ky amendament kërkohej prej qeverisë që të ndante 739 mijë e 200 euro për gjithsejtë 150 punëtorë të tillë.

Nga kjo shifër, 100 psikologë-pedagogë mund të paguheshin me pagën bruto 426 euro, e që shuma vjetore e përgjithshme është 511 mijë e 200 euro. Në kuadër të saj do të mund të angazhoheshin edhe 50 asistentë të fëmijëve me nevoja të veçanta me pagën bruto 380 euro, e që shuma vjetore e përgjithshme është 228 mijë euro.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.