Deklarohet Pacolli: AKR do ta mbështesë këtë parti në balotazh për Prishtinën

Raundi i dytë zgjedhor respektivisht balotazhi i cili zhvillohet në 19 komuna, pa dyshim gara më interesante do të jetë ajo për kryeqytetin.

Ndërkohë që disa subjekte politike tashmë kanë shprehur interesim që të lidhin koalicione për balotazh.

Kësisoj, është partia e Behgjet Pacollit e cila së fundi ka zhvilluar takime me Vetëvendosjen.

‘Indeksonline’ ka kontaktuar shefin e shtabit zgjedhor të AKR-së, Rrahim Pacollin për të mësuar se a ka pasur takime edhe me LDK-në për mundësinë e ndonjë marrëveshje në balotazh.

Madje, ai ka treguar edhe qëndrimin e tij personal se kë dëshiron ta mbështesë.

“Sa i përket asaj a do të ketë takim. Unë mendoj që presidenti i partisë është jashtë vendit kur të kthehet do të kem takime me dy subjektet. Por, dëshira ime kishte me qenë që të kemi një koalicion për balotazh me Vetëvendosjen”, ka thënë Pacolli.

Tutje, sa i përket deklarimit se Pacollit iu është ofruar posti i nënkryetarit të komunës së Prishtinës. Ai e ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se nuk është i interesuar për poste publike.

“Kurrfarë posti nuk më ka ofruar në komunën e Prishtinës, as nuk kam bisedu për këtë punë dhe nuk ka mundësi të më ofrohet një i tillë pasi nuk jam i interesuar për poste publike. Ne kemi mjaftueshëm njerëz të partisë që munden me shku aty që kanë qenë në komunë apo janë”, ka thënë ai.

Më tej, ai ka shtuar se një pjesë e partisë së tyre kanë interesim të bashkohen me Vetëvendsojen. Por, sipas tij, kjo do të vendoset në ditët në vijim.

“Një pjesë e partisë sonë është e interesuar me pas koalicion me VV-në dhe unë shpresoj që qashtu do të jetë. Normal do të ketë me të dyja subjekte takime , por mendimi im personal është që me Vetëvendosjen do të jetë më i mirë”, ka përfunduar ai.