Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti hyri në polemika me deputetin e Vetëvendosjes, Xhelal Sfeqla në seancën e jashtëzakonshme e cila ende po vazhdon.
U tha në Kuvend nga Vetëvendosje se pozita po punon me pushtetin e Serbisë, e për këtë reagoi nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti i cili tha se “as Zajednica, as Lista Srpska, as partia e Vuçiqit dhe as ajo e Putinit s’kanë për të hyrë në Kosovë”.
“Është e vërtetë që ju e keni ndalë procesin e integrimit në Kosovë, edhe e keni ndalë demokratizimin e Kosovës”, i ka thënë Haliti, deputetit të Vetëvendosjes Xhelal Sfeqla, i cili nxiti këtë debat.
Haliti gjithashtu i tha Sfeqlës, se “nuk kemi nevojë t’i shesim mend njëri-tjetrit”.
Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën e jashtëzakonshme me të vetmen pikë në rendin e ditës, përkatësisht debatin e thirrur nga opozita rreth parimeve programore të Qeverisë për vitin 2017 -2020.