
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, Christian Danielsson pas një takimi kanë mbajtur konferencë për media ku kanë folur për programin për reforma ekonomike.
Haradinaj ka thënë se në këtë takim fokusimi ishte në programin për reforma që fillon vitin e ardhshëm.
“Sot fokusimi ishte për programin në reforma ekonomike që fillon vitin e ardhshëm. Kishim nevojë për sugjerimet e Danielson dhe kjo tregon perspektivën dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Haradinaj.
Kurse, Danielsson ka thënë se Kosova ka perspektivë evropiane dhe për këtë do të ketë mbështetje e vazhdueshme të BE-së. Por sipas tij, Kosova do duhet të kryej reforma ne ekonomi arsim e fusha tjera.
Danielsson ka përshëndetur miratimin në Kuvend të IPA-s.
Sa i përket liberalizimit të vizave, ai ka thënë se kriteret janë të qarta dhe se Komisioni Evropian do të bëjë hapa përpara sapo të mbyllen këto procese duke përfshirë edhe Demarkacionin me Malin e Zi.