Cili eshte kandidati per kryetar komune nga radhet e Vetvendosjes qe akuzohet per vjedhje te rrymes?!

Kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës, Ajet Potera, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, po akuzohet për vjedhje të energjisë elektrike. Kallëzimin penal ndaj Poterës e ka bërë kompania KEDS. Por, kandidati i VV-së thotë se asnjëherë nuk ka qenë në dijeni për një aktakuzë të tillë. Madje, mohon kategorikisht se e ka kryer këtë vepër penale.

Ndaj Ajet Poterës, kandidatit të Vetëvendosjes për kryetar të Podujevës, Prokuroria Themelore në Prishtinë, me datë 08.06.2017, ka ngritur aktakuzë për veprën penale “vjedhje e energjisë elektrike”.

Padinë ndaj Poterës e ka ngritur kompania KEDS, përderisa të njëjtën padi Prokurori i rastit e ka pranuar me datën 22 nëntor 2016, për veprën e dyshuar vjedhje e shërbimeve komunale.

Në aktakuzën të cilën e ka siguruar Gazeta Express, thuhet se pas shqyrtimit të kallëzimit penal dhe analizimit të lëndës, ka prova të mjaftueshme në bazë të të cilave vërtetohet se i pandehuri (Ajet Potera) e ka kryer veprën penale.

Por, këto akuza për vjedhje të rrymës i mohon kategorikisht anëtari i Vetëvendosjes, Ajet Potera. Ai për Express thotë se nuk ka marrë asnjë informatë për akuzat në fjalë, derisa sqaron se në Prishtinë jeton që disa vite, por me qira.

“Jo kjo nuk është e vërtetë, unë jetoj në bashkësi familjare, unë jam qe një kohë duke jetu në Prishtinë, kjo punë nuk ka të bëjë kurrgjë me mu. Nuk jam i informuar për këtë gjë, bile është hera e parë që po e dëgjoj. Unë nuk kam informacion, kjo mundet me qenë një shpifje e radhës. Unë një padi e di që e kam pa në Zëri dje, që kryetari aktual më ka padit për një shpifje që ai e quan, unë e kam dëshminë mbi bazën e atyre të familjes së biznesit dhe veç qato e kam thonë e veç atë padi e di që e kam prej gjyqit, e tjetër send mu nuk më ka ardhë asnjë gjë”, sqaron Potera.

Në aktakuzën ndaj Ajet Poterës, prokurorja e rastit, Merita Shala – Muhaxheri, thekson se pas vlerësimit të provave, faturave nga KESCO, të lëshuar në emër dhe llogari të KEDS-it, fotografitë e njehsorit elektrik të tashmë të dyshuarit Poterës, konsiderohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën e cila i përshkruhet në aktakuzë.

E vjedhjen e energjisë, sipas aktakuzës, Potera e ka filluar me datë 25.06.2016 me ç’rast ka shkaktuar dëm në vlerë prej 192.15 eurove.

Megjithëkëtë, kandidati i Vetëvendosjes për komunën e Podujevës, thekson se nuk ka asnjë aktakuzë të tillë. Thotë se rryma që ai e harxhon tash në vendin ku jeton, është në emër të dikujt tjetër, pasi, siç bën të ditur, aty është me qira.