Çfarë i tha Ibrahim Rugova Hashim Thaçit në Rambuje?

Në librin e tij “Këmbët e Gjarprit”, Veton Surroi e, e përshkuan edhe një situatë dhe një dialog mes Ibrahim Rugovës dhe Hashim Thaçit.

Ja një fragment i shkëputur nga libri i Surroit:

“Njëra prej ngjarjeve më treguese për personazhet e historisë të re, dhe për këtë rrëfim, ndodhi një ditë në Rambouillet.

Na kishte thirrur në drekë në Kështjellë, ne katër anëtarët e Kryesisë së Delegacionit të Kosovës sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright.

Kishte vendosur që në atë darkë të merrte pëlqimin tonë për marrëveshjen. Ishe duke filluar të lodhej seriozisht me sjelljen tonë dhe në një moment filloi të na qortonte me një fjalor jo shumë të zgjedhur. Pas shfryrjes së dufit, vendosi të krijojë një rebalancim emocional dhe tha:

“Krejt këtë po ju them se jam mike e juaja, se ju dua dhe ju respektoj. Ja, edhe mineralin e bukur që ma ka dhuruar dr. Rugova, në vizitën tuaj të fundit po e mbaj në zyrën time, që në hyrje, dhe kushdo që vjen e më pyet për të i them se e kam nga dr. Rugova, nga Kosova”.

Kur dolëm nga darka, pa ndonjë rezultat evident, fytyrat e të gjithë anëtarëve të Kryesisë ishin të ngrysosura. Para derës na priste përcjellësi i dr. Rugovës, Adnan Merovci, dhe, kur i pa fytyrat, u brengos dhe menjëherë iu drejtua shefit të tij me pyetjen “Si kaluat?”.

Shumë mirë, Adnan, -tha Rugova. A e mban mend atë gurin që ia dhashë sekretares Albright. Tha që po e mban në zyrë dhe kush hyn e del prej aty merr vesh se ia kam dhënë unë, se është nga Kosova.

Fytyra e Adnanin u kthye në kënaqësi.

Këtë e kishte të reflektuar nga humori i mirë i shefit, i cili në vazhdë të këtij humori iu kthye Hashim Thaçit, i njohur si Gjarpri:

A mos do me ta dhanë edhe ty një gur, djalë?

Hashim Thaçi, i quajtur Gjarpri, dukshëm i nervozuar, u përgjigj:

Jo, se e çliroj unë Trepçën e i marr vetë”.