fbpx

ÇFARË GJETI POLICIA NË AUTOMJETIN E VIKTIMAVE TË AKSIDENTUARA NGA KAMIONI I BECHTEL-ENKAS?

  10 Dec 2017

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Gazetën Insajderi se pas aksidentit që ka ndodhur në magjistralen Prizren-Gjakovë, ku humbën jetën dy persona, ata kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Pas kontrollimit të automjetit të viktimave, policia thotë se aty u gjet një pistoletë.
“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe pas këqyrjes në automjetin e viktimës, policia ka gjetur një pistoletë. Lidhur me këtë njësitet e tjera janë duke e hetuar rastin”, ka thënë për Gazetën Insajderi zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

Për më tepër, të dy viktimat, njëri i lindur më 1980 dhe tjetri i lindur në vitin 1982, humbën jetën në orët e hershme të mëngjesit në magjistralen Prizren-Gjakovë, gjegjësisht në fshatin Krushë e Vogël.

Deri te aksidenti ka ardhur për shkak se kamioni i kompanisë “Bechtel – Enka”, i cili ka qenë duke qarkulluar në drejtim të Xërxës, merr harkun për t’u kthyer në udhëkryqin që shpie në fshat, dhe vetura e viktimave e godet atë nga pamundësia për t’u ndalur.