BOIKEN ABAZI ZBULON “MASHTRIMIN” E GAZETARES SË KLAN KOSOVËS
Aktivisti i Vetëvendosjes, Boiken Abazi, i cili kishte shërbyer për disa vite në pozita të larta brenda Lëvizjes, ka thënë se televizioni Klan Kosova ka tentuar të paraqes si të jashtëligjshme ofrimin e transportit për votuesit, edhe pse, sipas tij, kjo është një praktikë e zakonshme në vendet perëndimore.
Abazi, përmes një shkrimi të publikuar në Facebook, ka thënë se gazetarja që e ka realizuar lajmin për Klan Kosova, ka qenë një aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje – para se të punësohej në televizionin “Klan Kosova.
“Gazetarja që ka bërë videon në Klan Kosova që akuzon Lëvizjen VETËVENDOSJE! se ka marrë persona anonim, apo gabimisht, në telefon për t’i ofruar transport në ditën e votimit “duke shkelur kështu ligjin” është një gazetare që ka qenë simpatizante e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që prej zgjedhjeve të parakohshme lokale në Ferizaj në vitin 2012”, ka thënë Abazi.
Abazi ka shtuar se “ajo ka ardhur shpesh atëherë në zyrë jo vetëm në Ferizaj, por edhe te zyrat e vjetra të Lëvizjes VETËVENDOSJE! te “4 Llullat” në Prishtinë.”
“Ajo ka qenë gazetare në një media lokale në Ferizaj, por në Lëvizje nuk vinte si gazetare por edhe si shoqe dhe simpatizante. Ajo ka njohur nga afër shumë prej nesh, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj dhe Prishtinë, dhe ka ardhur në plot aktivitete tonat”, ka thënë aktivisti i LVV-së.
“Pasi la punën në Ferizaj, ajo u transferua në Prishtinë dhe e ka përkrahuar edhe familjarisht Shpend Ahmetin dhe VETËVENDOSJE!n në zgjedhjet lokale 2013. Kontaket e saj i kemi patur shumë prej nesh, pasi na i ka dhënë vetë që ta ftonim në aktivitete, dhe ka qenë në listat tona e identifikuar që atëherë si simpatizante, sepse e tillë ka qenë pa asnjë dyshim.”
Sipas Abazit, simpatia e kësaj gazetareje për Lëvizjen Vetëvendosje është shuar, pasi ajo është punësuar në televizion “Klan Kosova”, i cili medium, sipas Abazit, është “plotësisht në shërbim të Klanit Pronto”.
“Qartazi, prej punësimit në Klan Kosova para 4 vitesh simpatia e saj për VETËVENDOSJE!n është zbehur fillimisht dhe tashmë tretur krejtësisht. Kjo është çka i bënë një media si Klan Kosova, plotësisht në shërbim të “Klanit Pronto” të PDK-së, shumë prej punonjësve të vetë të rinj: i merr të rinj kur kanë nëvojë të madhe për një punë, i shtynë të bëjnë kronika manipuluese në shërbim të pushtetit, dhe i transformon deri në atë masë sa ta vendosin karrierën para së vërtetës, pushtetin para drejtësisë, interesin vetjak para të mirës së përgjithshme”, është shprehur Abazi, në prononcimin e tij në Facebook. /Insajderi.com