Bislimi i PDK-së: Do të jem zëri i gjeneratës sime
Donjet Bislimi, kryetar i rinisë së PDK-së, në Interaktiv të KTV-së tha se i është bashkuar politikës sepse beson se do të jap kontribut në shumë fusha, e sidomos rinisë.
Ai tash është edhe kandidat për deputet.
“Praktimin e politikës do ta bëj si më së miri. Do ta jap kontributin tim për gjeneratën time. Do të jem zëri i rinisë”, tha ai.
Bislimi ka treguar edhe pse sipas tij, lista e kandidatëve të PDK-së, është më e mira.
“Pikë së pari ne nuk kemi të shkarkuar brenda partisë e më pas t’i kthejmë prapë, lista jonë prej 110 kandidatëve ngërthen shumë profesionistë. Prej 110, 68 kandidatë për deputetë janë për herë të parë, e shumë prej tyre nën moshën 40-vjeçare. PDK-ja na ka dhënë shumë hapësirë të rinjve”, tha ai, duke shtuar se 70% e të gjitha strukturave është me të rinj.
Bislimi, tutje ka shtuar se “PDK-ja, prej vitit 2014 s’ka qenë në pushtet, e tash e tutje kur t’i fitojë zgjedhjet, do ta luftojë korrupsionin”.
Bislimi, i cili në debat është me Gazmend Gjyqincën nga Vetëvendosja, në Interaktiv ka thënë se “Vetëvendosja bën diktaturë brenda strukturave”.
“Unë kam shumë shokë e shoqe asamblistë në Mitrovicë dhe nuk guxojnë me bë foto me mua”, tha ai.