Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se po i bëhet presion nga Brukseli zyrtar dhe nga SHBA-të që të miratohet demarkacioni me Malin e Zi.
Ai këto komente i ka bërë para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, ku ishte i ftuar para deputetëve, raporton Gazeta Blic.
Ai ka thënë se në një vizitë që ka pasur në Bruksel, i është thënë se Kosova sa më parë ta ratifikoj marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, nëse do liberalizimin e vizave.
Shefi i diplomacisë kosovare ndër të tjera para deputetëve ka theksuar se, ka përcjellur me shumë vëmendje edhe mesazhin e zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili i kishte bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të ratifikojë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi dhe t’i hapë rrugën përfitimeve që do të kishin qytetarët duke lëvizur pa viza në Evropë.
Ndryshe, Demarkacioni me Malin e Zi, nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj po cilësohet se është bërë gabim dhe se për këtë ka emëruar një komision të ri, në krye me Shpejtim Bulliqin.