Behen bashke LDK-ja dhe VV-ja….
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë shprehur kundër projektligjit për rishikimin e buxhetit të këtij viti.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Dardan Molliqaj, i cili është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, ka kundërshtuar projektligjin për shqyrtimin e buxhetit të vitit 2017.
Sipas Molliqajt, VV-ja nuk është e gatshme ta mbështes projektligjin për shqyrtimin e buxhetit të këtij viti, pasi që sipas tij si i tillë nuk është i pranueshëm për ta.
Kundër këtij projektligji është shprehur edhe deputeti nga radhët e LDK-së Naser Osmani, i cili po ashtu është anëtar i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa.
“Për shkak të heqjes së mjetëve nga autostrada e Gjilanit , për shkak të heqjes së mjeteve të sigurimeve shëndetësore dhe për shkak që e ka degraduar numrin e veteranëve me shtimin e numrin të tyre për një votë më shumë”, ka deklaruar ai.
Në anën tjetër ministri i Financave Bedri Hamza, duke prezantuar projektligjin për buxhetin e Kosovës, ka thënë se riorientimi i mjeteve synon financim adekuat i projekteve dhe implementim të politikave shtetërore që synojnë zhvillim të qëndrueshëm të vendit.
Hamza në seancën e Kuvendit ka thënë se duke u bazuar në një proces real të rishikimit kemi rikomoduar vlerën e shpenzimeve në 1 milard e 810 milion, nga vlera origjinale në 2 milardë, ndërsa të hyrat buxhetore parashikohen 1 milard e 725 milionë eurove.
Sipas tij, rishikimi ka mundësuar që deficiti buxhetor të ulet nga 300 milionë euro në 190 milionë euro. Ai shtoi se bilanci bankar me këtë rishikim parashihet të jetë adekuat, apo rreth 4 % të bruto produktit vendor.
Ndërsa kryetari i OVL së UÇK-së Hysni Gucati ka paralajmëruar protesta nëse nuk gjendet zgjidhje për pensionet e veteranëve brenda kësaj jave.