Lidhja Demokratike e Kosovës, ndonëse shënoi rritje në këto zgjedhje, në qytetin e Prizrenit nuk ka arritur që të shkojë në balotazh. Kandidati i LDK-së, Hatim Baxhaku në zgjedhjet e djeshme ka marrë rreth 20 përqind të votave të prizrenasve.
Ndërkaq, para tij kanë dalë Shaqir Totaj i PDK-së dhe Mytaher Haskuka nga VV.
Hatim Baxhaku ka shprehur publikisht dëshirën që në balotazh të përkrahin kandidatin e VV-së për Prizren, Mutaher Haskuka.
Por, sipas tij, për këtë gjë vendos dega e jo kandidati për kryetar.
“Strukturat vendosin kë ta përkrahin në balotazh, nuk mund të vendosi unë. Por, unë e kam shprehur haptazi se personalisht do e kisha preferuar Vetëvendosjen, por nuk vendosi unë por strukturat. Ende nuk kemi biseduar ende për këtë, por kryetari i degës së bashku me gjithë degën këto ditë ulën dhe vendosin si do veprojnë tutje”, u shpreh Baxhaku për indeksonline.
Kandidati i PDK-së në këto zgjedhje ka siguruar 29,68 përqind ndërsa kandidati i VV-së ka marrë 22,46 përqind të votave.