Barjam Jashanica transferohet në Rusi

E kryer, Bajram Jashanica do të vijojë karrierën në kampionatin rus dhe gjasat janë që klubi i tij i ri do të jetë Akhmat Grozni.

Burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë klubit korçar treguan dje se drejtuesit e Skënderbeut kanë pranuar ofertën e ardhur për mbrojtësin dhe janë gati ta lënë të lirë në janar.

Ajo që Skënderbeu po mundohet të mbajë të fshehtë është emri i klubit që ka bërë marrëveshje paraprake, por gazeta mëson se është e sigurt që e ardhmja e mbrojtësit të përfaqësueses së Kosovës është Rusia.

Lidhjet e menaxherëve që bashkëpunojnë me Skënderbeun janë më shumë me klube si Anzhi dhe Akhmat Grozni. Te ky i fundit bëjnë pjesë Bernard Berisha, Odise Roshi dhe Bekim Balaj.

Të njëjtat burime i treguan gazetës se rusët i kanë bërë një ofertë të shkëlqyer Skënderbeut, që mendohet se është 400 mijë dollarë. Edhe vetë Jashanica në daljet e fundit ka pranuar se në janar do të largohet nga Skënderbeu.

Tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i transferimit, me 27-vjeçarin që po kalon një formë të shkëlqyer.