Bahri Cani tregon se a mund të vijnë bashkatdhetarët këtë vit në Kosovë

Bahri Cani tregon se a mund të vijnë bashkatdhetarët këtë vit në Kosovë

  15 Jul 2020

Gazetari i DW-së, Bahri Cani nga Gjermania, tregon për rekomandimet dhe vendimet që ka marrë BE-ja nga vendet e Ballkanit si pasojë e koronavirusit.

Ai thotë se të paktën deri në fund të korrikut nuk rekomandohet hapja e kufijve me shtetasit që jetojnë në Ballkan.

“Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian mendojnë se kufijtë me Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Malin e Zi, por edhe Bosnje e Hercegovinën të jetë e mbyllur. Në Bruksel vlerësohet se gjendja është përkeqësuar në të gjitha këto vende që për fat të keq e dëshmojnë edhe rezultatet e fundit”, thotë ai përmes një videoje të publikuar në kanalin e tij në Youtube, njofton Zeri.info.

Sipas tij, këto janë vetëm rekomandime dhe jo urdhra, pasi që thotë se vendet anëtare mund të marrin vendime të kundërta.

“Për shembull, edhe pse ishte rekomanduar nga BE-ja që për Serbinë të hapen kufijtë, vendim krejt të kundërt kishte marrë Gjermania. Paralajmërimi nuk do të thotë ndalim. Megjithatë, nëse dikush udhëton në vendet e treta ku nuk rekomandohet, atëherë shteti gjerman nuk merr përgjegjësi për kthimin e tyre dhe në rast të sëmundjes mund të ndodhë që sigurimet të mos mbulojnë koston e shpenzimeve shëndetësore”, u shpreh ai.

Cani thotë se diaspora mund të udhëtojë në drejtim të vendeve ballkanike, por duhet të jenë të vetëdijshëm për pasojat që mund t’i presin.

“Mund të ndodhë që të keni probleme nëpër kufij për shkak të ndryshimeve të shpeshta dhe rritjes dramatike të numrit të të infektimeve. Mund të ndodhë që t’ju kërkojnë ndonjë test negativ që nuk është më i vjetër se 48 orë”, thotë më tej Cani. Ai thekson se është i sigurt që deri në fund të muajit korrik të gjithë qytetarët që vijnë në Kosovë pas kthimit në Gjermani, Austri dhe Zvicër do të karantinohen.

“Megjithatë, karantinimi mund të evitohet nëse qytetarët posedojnë test negativ që nuk është më i vjetër se dy ditë dhe që mund të bëhet, për shembull, në Gjermani dhe që gjithashtu duhet të pritet derisa të dalin rezultatet”, përfundoi ai. /Zëri

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.