Neymari nuk u largua nga Barcelona për para, por për shkak të “sfidës”, ka konfirmuar babai i brazilianit.
Ylli brazilian ka shënuar tetë gola në po aq paraqitje me klubin parisien, që prej kur iu bashkua këtë verë për 222 milionë euro.
Shumë besuan se 25-vjeçari dëshiroi largimin për shkak të parave, duke konsideruar shumën marramendëse që fiton tani, 36.8 milionë euro në vit.
Duke folur për ‘Telefoot’, babai i Neymarit pohoi se “shokët e tij Leo Messi, Luis Suarez, Ivan Rakitic dhe Gerard Pique që të gjithë tentuan ta bindin që të qëndrojë”.
“Ishte shumë e vështirë por Neymar me të vërtetë e dëshironte largimin”, zbuloi babai i futbollistit.
“Këtë herë oferta e Paris Saint-Germain ishte shumë interesante. Ideja e fitimit të Ligës së Kampionëve dhe ligës i pëlqeu atij”, shtoi Neymar senior.
“Unë i thash Neymarit se ishte rehat te Barcelona dhe do të bënte mirë të qëndronte, por ai dëshironte të braktiste rehatinë për ta vendosur veten në rrezik”, përfundoi ai.