fbpx

Azem Vllasi: Ky ishte gabimi më i madh i Millosheviqit me Kosovën

  11 Nov 2017

Ish-anëtari shqiptar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Azem Vllasi, ka thënë sot se ish-lideri i ish-Jugosllavisë, Slobodan Millosheviq, gaboi kur e nxorri Kosovën jashtë kontekstit të një vendi të ish-Jugosllavisë, duke tentuar ta bënte atë pjesë të Serbisë.

I ftuar në panelin e Konferencës së Dialogut Strategjik në Beograd, Vllasi foli për fundin e ish-Republikës Federale të Jugosllavisë.

Sipas tij, gabimi më i madh i Millosheviqit ishte nxjerrja jashtë kontekstit jugosllav të Kosovës dhe trajtimi i saj, siç tha ai, si një çështje serbe që do të zgjidhej shpejt dhe përgjithmonë.

Vllasi tha se Ish-Republika Federale e Jugosllavisë mund të shndërrohej në një bashkim të shteteve të pavarura sikurse Bashkimi Sovjetik, ose “të shpërbëhej paqësisht si Çekosllovakia”.

“Brenda kufijve të atij vendi ka pasur popuj që nuk janë përmendur në emër të saj dhe si pasojë janë trajtuar si qytetarë të rendit të dytë. Maqedonasve iu mohua identiteti dhe Maqedonia u quajt Serbia Jugore, boshnjakët u reduktuan në një kategori fetare, ndërsa pati krime të kryera ndaj shqiptarëve”, tha Vllasi.

Në këtë panel, në Beograd, mori pjesë edhe ish-anëtari i Kryesisë së Partisë Komuniste të ish-Jugosllavisë, Jugoslav Kostiç.