Arsyeja që Thaçi e Haradinaj duan dështimin e Gjykatës
Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, të ndihmuar edhe nga Kadri Veseli, edhe pse me vullnet të rezervuar të këtij të fundit, mbrëmë ndërmorën një nismë, për të cilën miqtë ndërkombëtarë, siç janë Amerika e Britania thanë se mund ta shkatërronte të ardhmen e Kosovës.
Gazeta Metro, nga burime ndërkombëtare mëson se aktakuzat e para tashmë janë protokolluar dhe për emrat që gjenden aty, duket se janë në dijeni edhe Thaçi e Haradinaj. Këto aktakuza Gjykata Speciale do t’i publikojë shumë shpejt ditët në vazhdim.
Ky burim i ka thënë Gazetës Metro, se me gjasë kjo është arsyeja që deputetët e koalicionit qeveritar, të shtyrë edhe nga presidenti Thaçi, janë nxituar që situatën ta rrëzojnë pak para se ajo të ndodhë.
Se Gjykata ka bërë gati aktakuzat e para, ky burim i ka thënë Gazetës Metro, se për sinjale kanë marrë edhe disa nga institucionet e rendit të drejtësisë në vend, nga besohet se ka mundur të rrjedh ndonjë informacion, që ka alarmuar dy liderët kryesorë të shtetit të Kosovës.
Thaçi e edhe Haradinaj, besohet se mund të preken edhe direkt nga këto aktakuza. Presidenti mendohet se personalisht do të mund të jetë në listën e të akuzuarve, ndërsa Kryeministri besohet të jetë alarmuar, pasi vëllai i tij, deputeti Daut Haradinaj, thuhet se mund të jetë njëri nga të akuzuarit e parë të kësaj Gjykata me seli në Hagë.
Megjithatë, insistimi i ambasadorëve dhe mosgatishmëria e LDK’së, Vetëvendosjes, dhe Listës Serbe, për të mos mbështetur nismën e Thaçit e Haradinajt për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale, bëri që të paktën përkohësisht kjo nismë të mos arrijë të jetësohet