Bob Arum, një nga promotorët më të rëndësishëm të boksit, ka konfirmuar sot se është arritur marrëveshja mes boksierit britanik Anthony Joshua dhe atij neo-zelandez Joseph Parker për t’u përballur mes tyre, sfidë që do të zhvillohet më 31 mars në Britaninë e Madhe (në Kardif).
Jo vetëm kaq, por palët kanë gjetur marrëveshjen edhe për sa i përket të ardhurave që dy boksierët do të përfitojnë nga kjo përballje, që unifikon titujt kampionë bote në peshat e rënda. Joshua do të marrë 66.6% të fitimit, ndërsa Parker 33.3% të të ardhurave.
“Mendoj se ka qenë një marrëveshje e mirë financiare edhe për shkak se Joshua mban dy tituj kampionë bote (IBF dhe ËBO), ndërsa Parker një (ËBA). Unë besoj se së shpejti do të kemi zyrtarizimin e këtij dueli. Parker ka shumë shanse për ta fituar këtë sfidë edhe pse Joshua është favorit, ndaj besoj se do të jetë një përballje e fortë”, u shpreh Bob Arum, që i ka befasuar të gjithë me këtë deklaratë, shkruan Telesport.
Palët kishin kohë që bisedonin për një marrëveshje, por nuk gjenin gjuhën e përbashkët për sa i përket të ardhurave, por tashmë duket se gjithçka është gati.