fbpx

ARRESTOHET NË MALMO PACOLLI, I DYSHUAR PËR MASHTRIM

  03 Dec 2017

Gjykata e Qarkut në Malmo, Suedi, ka arrestuar Sabit Pacollin për mashtrim të madh më 2015, 2016 dhe 2017. Ai u arrestua të enjten e javës që po lëmë pas derisa po shkonte në një takim në Agjencinë Suedeze të Tatimit.

“Desha të sigurohem që hetimi ynë preliminar të përfundojë para hetimit të Agjencisë Suedeze të Tatimit”, ka thënë prokurori Bo Birgerson, transmeton Koha.net.

Në orën 11:00 të së dielës ka nisur seanca dëgjimore. Një orë e gjysmë më vonë, Gjykata e Qarkut lëshoi urdhrin e arrestit.

Sipas Birgerson, arrestimi i tij erdhi si pasojë e dyshimeve të besueshme për keqpërdorim të parave.

Edhe gjykata e qarkut dha vlerësim të njëjtë: ekzistonte rreziku se Pacolli do të shkatërronte hetimin nëse do të lirohej dhe ekzistonte rreziku se ai do të ikte me aeroplan.

Leif Ljungholm, prokuror publik mbrojtës i Pacollit, thotë se klienti i tij i mohon akuzat.

 

Sabit Pacolli, biznesmen dhe ish-zyrtar i Aleancës Kosova e Re, muajin e kaluar kishte mohuar akuzat e gazetës suedeze “Sydsvenskan” se ka vjedhur mbi 200.000 euro nga kompania e bamirësisë HSB, ku vet është kryetar.

“Sydsvenskan” ka shkruar një artikull me titull “Shoqata HSB është grabitur – kryetari ka ndërtuar fabrikë dhe vilë luksoze në Kosovë”.

Sipas hulumtimit që gazeta pretendon ta ketë kryer, kjo grabitje e Pacollit kap vlerën e dy milionë krunave, ose mbi 200.000 euro.