Arban Abrashi: Shpend Ahmeti veç po ankohet, s’ka bërë asgjë

  27 Sep 2017

Kandidati i LDK’së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi ka kritikuar kundërkandidatin nga Lëvizja Vetëvendosje, kryetarin aktual, Shpend Ahmetin, për ankesat se institucionet nuk kanë bashkëpunuar me të si kryetar i kryeqytetit.

Abrashi në Rubikon të KTV’së ka thënë se Ahmeti po ankohet për mosbashkëpunim të institucioneve, e realisht, për shumë projekte nuk i është dashtë bashkëpunimi fare.

“Mbeturinat, qentë endacak, është dashtë të ndërtohen shtatë shkolla, ka ekzistuar buxheti, projekti ekziston, buxheti ekziston. Mund të shihni se ka pasur buxhet për tërë këto projekte. Buxheti i Prishtinës ka rënë në 15 milionë euro më pak, në vend se të rritej për 15 milionë më shumë”, ka thënë Abrashi.

“Nuk është ndërtuar asnjë qendër e mjekësisë e familjare, asnjë qendër s’është ndërtuar, e ka bërë hapjen por nuk e ka ndërtuar, ato janë ndërtuar në kohën e Isa Mustafës… Mbi të gjitha është rritur tatimi në pronë, janë dëmtuar qytetarët sepse kjo nuk është kthyer në investim për qytetarët. Ka ekzistuar buxheti dhe nuk është ndërtuar shkolla e muzikës”, ka thënë Abrashi.

Ai, ndër të tjera, ka treguar se pranon shumë mesazhe nga qytetarët e Prishtinës, të cilët i kanë treguar për aferat korruptive të udhëheqësve të komunës së Prishtinë karshi ndërtimeve.

Abrashi ka thënë se nuk dëshiron të merret me këtë temë ndonëse ka informata ndërtimet pa leje. Ai ka thënë se zyrtarë të Vetëvendosjes kanë qenë edhe në prokurori për këto çështje.

“Banesat e reja të cilat janë pa leje, ka shumë lëndë në prokurori, me siguri e dinë këta që po flasin, se kush ka qenë në prokurori. Mendoj se ka qenë çdo të premte”, ka thënë ai.

 

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.