fbpx
Analiza/ Albin Kurti zbuloi fytyrën e vërtetë të Serbisë, ja pse u surprizua Escobar me Kosovën

Analiza/ Albin Kurti zbuloi fytyrën e vërtetë të Serbisë, ja pse u surprizua Escobar me Kosovën

  01 Oct 2021

Bytyçi: Mënyra e zgjidhjes së krizës i dha pikë Kosovës dhe rriti autoritetin e saj ndërkombëtar
Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, gjatë ditës së djeshme është nënshkruar marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë lidhur me targat e veturave, pasi qeveria Kurti vendosi reciprocitetin ndaj Serbisë, gjë që tensionoi situatën mes dy vendeve.

E me marrëveshjen e arritur të enjten në Bruksel, serbët do t’i heqin bllokadat, njësitë speciale të policisë do të tërhiqen nga Jarinja dhe Bërnjaku dhe atje do të vendoset KFOR-i, ndërsa në targave të të dyja palëve do të vendosen përkohësisht letra ngjitëse.

Lidhur më marrëveshjen e arritur dhe rezultatet e saj, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Marrëveshja e të mërkurës në Bruksel për zgjidhjen e krizës që Serbia shkaktoi në veri të Kosovës është një hap i rëndësishëm përpara. Kjo marrëveshje provoi disa rezultate. Konfirmoi se Kosova është në të drejtën e saj të sillet me reciprocitet ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera. Këtë e pohoi gjithashtu i ngarkuari amerikan për Ballkanin Perëndimor zoti Escobar. Madje ai tha se amerikanët dhe evropianët u surprizuan nga ky vendim dhe aksion i Kosovës. Nëse e analizojmë surprizën e përmendur nga Escobar, atëherë gjithkush beson se kjo ka të bëjë me profesionalizmin e policisë dhe forcave speciale të dërguara në Jarinjë dhe bërnjak nga qeveria. Ka të bëjë me maturinë politike të kryeministrit, presidentes dhe aktorëve dhe faktorëve të tjerë në Kosovë. Ka të bëjë me gatishmërinë e autoriteteve të Kosovës për t’i zgjidh çështjet me dialog! Pra surpriza është pozitive dhe e paparashikueshme”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, marrëveshja e djeshme në Bruksel i vë në pozitë të barabartë Kosovën dhe Serbinë.

“Pse e paparashikueshme? Sepse vendimi për reciprocitetin e targave me Serbinë nuk ishte një shou politik, një lojë e radhës e inskenuar si dikur midis Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiq! Marrëveshja i vë në pozitë të barabartë palët për një kohë gjashtë mujore. Në gjashtë muaj do të duhet të gjendet zgjidhja. Cila do jetë zgjidhja? Sigurisht njohja reciproke e targave të të dy vendeve. Kjo do të thotë se ky reciprocitet midis Kosovës dhe Serbisë do të shërbejë si indicie dhe garanci për krijimin e marrëdhënieve shtetërore në të gjitha fushat me Beogradin”, shprehet profesor, doktor Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, marrëveshja nuk cenon integritetin dhe sovranitetin shtetëror të Kosovës në veri të vendit.

“Pikat kufitare dhe doganat sipas kësaj marrëveshjeve do të administrohen nga pala e Kosovës, jo nga KFOR-I, siç akuzon opozita. KFOR-i nuk merr përsipër administrimin shtetëror, thjesht kujdeset për detyrën e tij, qetësinë dhe sigurinë. Ndërkohë që shkuarja e ROSU-së në veri dhe qëndrimi i tij për gati dy javë është një risi në historinë e shtetit të Kosovës. Ka shkuar ROSU në veri me urdhër të Thaçit e në koordinim me Vuçiqin, p.sh. për të arrestuar Gjuriqin. Më pas çfarë ndodhi? Gjuriqin e çuan dhe e dorëzuan në Merdare, duke kërkuar falje për arrestimin e tij. Vendosja e reciprocitetit të targave nuk pati këtë qasje. Atëherë ROSU e kreu aksionin brenda disa orëve”, thekson Bytyçi.

“Në rastin e fundit po qëndron gati dy javë, derisa të hiqen barrikadat dhe KFOR-I të marrë përgjegjësinë. Nëse nuk vendoset rregulli dhe krijohen trazira ROSU shkon prapë në vendngjarje. Ndërkaq duhet kuptuar se ROSU është një repart special me një kazermë. Ajo del nga kazerma kur të ketë nevojë për ndërhyrje në funksion të stabilitetit, paqes e sigurisë. Nuk është postë policore, që të jetë e pranishme gjithmonë në një vendngjarje, edhe kur kriza zgjidhet. Spekulimi se po largohen forcat speciale si lëshim për heqjen e barrikadave kriminale është pastër spekulim politik që nuk e ndihmon çështjen”, shpjegon më tej profesor Bytyçi.

Më tej, Bytyçi thotë se vendimi i Kurtit dhe qeverisë së tij, zbuloi fytyrën e vërtetë të Serbisë.

“Për të gjitha këto arsye mendoj se marrëveshja e nënshkruar në Bruksel është e dobishme. Madje jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë. Kosova u bë objekt dhe subjekt ndërkombëtar i konfirmuar, ndërkohë që ishte lëkundur besimi në këtë aspekt. Kosova fitoi simpati te ndërkombëtarët. Vendimi i zotit Kurti dhe qeverisë së tij zbuloi fytyrën e vërtetë të Serbisë dhe autoriteteve të Beogradit, si aleatë të padiskutueshëm të Moskës. për këtë Serbia do të paguajë kosto të padiskutueshme”, deklaron Bytyçi.

Për fund, Bytyçi shprehet se mënyra e zgjidhjes së krizës i dha pikë Kosovës dhe rriti autoritetin e saj ndërkombëtar.

“U hoqën edhe shumë dilema dhe skepticizmi se “Albin Kurti është faktor destabilizimi”! Ai e dha provën e parë dhe kryesore për rolin e tij si aktor dhe faktor stabiliteti e sigurie në Kosovë e në rajon. Tregoi përgjegjshmëri. Reagimet e një pjese të opozitës i shoh si artificiale për të luftuar një qeveri të përgjegjshme për fatin e vendit. E shoh si luftë bazuar në inate dhe hakmarrje. Reagimet e opozitës për fat të mirë kësaj radhe nuk mundën të operojnë me amerikanizmin ose anti-amerikanizmin në Kosovë. Sepse akti i qeverisë Kurti bëri që të kyçet në bisedime përfaqësuesi amerikan e madje të ndikojë për një marrëveshje të ekuilibruar në maksimum në favor të së drejtës së Kosovës!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.