Analistët reagojnë ndaj deklaratave të Haradinajt, tregojnë edhe arsyet se pse nuk po ndodh liberalizimi i vizave
Udhëheqësit politikë të vendit duhet të kenë kujdes kur përmendin data dhe japin afate të caktuara për liberalizimin e vizave, thonë njohës të integrimeve evropiane, shkruan Gazeta Blic.Madje, siç shprehen ata, liderëve të vendit nuk u takon as të flasin për një proces të tillë kur e gjithë kjo varet nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.Andaj, kur liderët e vendit, siç ishte edhe deklarata e djeshme e kryeministrit, Ramush Haradinaj se qershori mund të jetë koha kur edhe do të liberalizohen vizat, për njohësit e integrimeve evropiane është një gabim i cili është bërë qe një kohë të gjatë.
Njohësi i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu tha për Gazetën Blic se ky proces është devijuar aq shumë sa që fajtorët kryesor për këtë janë pikërisht udhëheqësit e vendit.“Unë mendoj që ky proces është devalvuar mjaft shumë kryekëput për shkak të udhëheqësve dhe krerëve të lidershipit të Kosovës. Unë kam besuar që deri më sot ata ta kenë marr motivin që të mos përmendin data për një proces kaq vital dhe me kaq shumë interes për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Kjo marrëveshje për me u formalizu, do votim të ri dhe mbështetje nga ambasadorët dhe kulmon me marrëveshje në këshillin e BE-së. Pra, janë edhe 6 hapa procedural. Në aspektin se kur ka vullnet politik prej vendeve të mëdha si Francëa e Gjermania, si dy shtetet kryesore për ta shtyrë këtë proces përpara”, tha Kryeziu.E njëri nga faktorët tjerë se procesi i liberalizimit ka mbetur prapa është edhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsioni. Shtoi se pa kryerjen e këtyre dy detyrave kyçe, procesi i liberalizimit nuk mund të ecë përpara.
“Pra fjala kryesore është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sistemi ynë i drejtësisë, vuan nga ndikimi i politikës dhe klasa politike duhet ta kuptojë që pa e lënë drejtësinë rahat e me frymu lirshëm që me i hetu dhe gjyku personat kryesisht të profileve të larta që me i bind kryeqytetet e këtyre vendeve të fuqishme që me e shty këtë proces” tha ai duke kritikuar udhëheqësit për përmendjen e datave“Të mos rrisin pritshmërisë qytetare sepse kjo po përfundon vetëm me një frustrim të qytetarëve. Aq shumë e kanë devalvuar këtë proces të datave që mas shumti që ata mund të bëjnë është të mos përmendin data që ju takon vendeve anëtare të BE-së. Ata le të kujdesen që të krijojnë ambient që të krijojmë një sistem të pavarur”, përfundoi ai.
Ngjashëm me këtë, tha edhe profesor i të Drejtës Evropiane, Avni Mazreku. Ai për Gazetën Blic tha se përmendja e afateve është një gabim dhe se një proces i tillë gjithmonë është i paparashikueshëm.“Vendimi final për liberalizimin e vizave është gjithmonë i paparashikueshëm dhe kjo për vet faktin se kjo varet nga qëndrimi i shteteve dhe përderisa ne nuk shohim një qëndrim të shteteve të mëdha atëherë edhe përcaktimi i afateve se kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave është tejet i paparashikuem. E ne ende nuk kemi parë një qëndrim të këtyre shteteve”, përfundoi Mazreku.Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, kryeministri i vendit Ramush Haradinaj në një intervistë tha se beson që liberalizimi i vizave mund të ndodhë në qershor të këtij viti.
Kujtojmë se procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka nisur në vitin 2012. Rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian, erdhi në korrik të vitit të kaluar, ndërkaq, votimit në favor të liberalizimit nga Parlamenti Evropian, në muajin shtator.Këshilli i Ministrave, ku ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, japin vlerësimet e tyre, mbetet sfida kryesore për Kosovën në këtë proces./Gazeta Blic