Ambasadori gjerman: Të akuzuarit nga Gjykata Speciale të dorëzohen vullnetarisht

  03 Oct 2017

Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt ka folur për Gjykatën Speciale e cila pritet të ndjekë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krimet e pretenduara ndaj serbëve pas luftës.
Heldt ka thënë se të ftuarit nga Gjykata Speciale duhet të paraqiten vullnetarisht, ose ftesa e Gjykatës duhet zbatuar nga institucionet kosovare të sigurisë.

“Ky do të jetë një shembull tjetër për ta parë se si veprojnë në ndërkohë institucionet e drejtësisë dhe autoritetet përgjegjëse për sundimin e ligjit në Kosovë”, ka thënë Heldt.

Ndërkohë ende nuk dihet se kur pritet të veprojë Gjykata Speciale. Ditëve të fundit është përfolur mundësia që aktakuzat e para të ngrihen tek në vjeshtën e vitit 2018.

Heldt ndërkaq ka thënë se pala kosovare duhet ta themelojë Asociacionin.

“Po, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të duhej të themelohej natyrshëm, në përputhje me ligjet kosovare. Fundja, ky hap do të duhej ta mundësonte një integrim më të mirë brenda Kosovës. Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është një obligim ndërkombëtar, të cilin Kosova e ka marrë përsipër për ta zbatuar. Në të njëjtën mënyrë edhe Serbia është e obliguar për t’i përmbushur obligimet e saja nga dialogu i zhvilluar në Bruksel, siç është për shembull Marrëveshja për Energjinë” ka thënë Heldt.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.