Albin Kurti: Hashim, as ti nuk do shpëtosh nga specialja (Video)

Në kohën kur Hashim Thaçi, një kohë kryeministër e më pas zëvendëskryeministër, bënte të pamundurën që Gjykata Speciale të votohej në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje e kundërshtonte ashpër themelimin e një gjykate të tillë.

Sot, kur Presidenti Thaçi ka ndërruar qëndrim rreth kësaj gjykate, për motive ende të paqarta, në Youtube mund të gjenden ende fjalimet e kundërshtuesve të Speciales në Kuvend.

Albin Kurti, atëkohë deputet në Kuvendin e Kosovës, thoshte se Thaçi po e lejon tribunalin “për shkak se ai vet nuk beson se ka me përfundu n’burg”.

“Pra, shpresa e këtij, që ky vet s’përfundon në tribunal, por shokët e tij shkojnë… thotë e kemi njëfarë sfide të madhe që duhet t’i përgjigjemi me përgjegjësi”, thoshte Kurti në seancën e 24 prillit të vitit 2014.

Në këtë fjalim Kurti e akuzonte Thaçin si “servil që është i gatshëm t’i shërbejë secilit burokrat ndërkombëtar”.

Sot, raporti i Thaçit me “miqtë ndërkombëtarë” ka ndryshuar shumë. Jo më larg se sot, ambasadori britanik, Ruairi O’Connell la në mënyrë demonstrative sallën ku Thaçi fliste me kritika të ashpra ndaj ndërkombëtarëve për Gjykatën Speciale.