Albin Kurti flet per perplasjen me Edi Ramen!
Albin Kurti flet në një intervistë ekskluzive për gazetën TemA në lidhje me përplasjen që pati me Edi Ramën, zhvillimet në Kosovë dhe idenë e vazhdueshme të tij, për bashkimin kombëtar.
Z. Kurti, para disa ditësh ju reaguat ndaj deklaratës së Kryeministrit të Shqipërisë, z. Rama lidhur me qëndrimit e Kryeministrit të Kosovës për demarkacionin e kufirit Kosovë – Mali i Zi, çfarë ju shqetësoi aq shumë në atë deklaratë?
Mendoj se deklarata e z. Rama ka ardhur si pasojë e mungesës së informacionit të plotë mbi çështjen, ose si pasojë e ndonjë keqinformimi të porositur nga kanale të kontrolluara prej z. Thaçi, i cili është shumë i interesuar që të zbatohet marrëveshja e padrejtë për demarkacionin. Por ajo marrëveshje nuk do të zbatohet, për shkak se argumentet e ekspertëve, por edhe dokumentet tregojnë se ajo linjë demarkacioni është gabim. Sigurisht që do të ketë një marrëveshje tjetër për demarkacion, dhe do të vendoset linja e drejtë kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. Është për t’u vlerësuar se pala malazeze nuk po këmbëngul në vijën kufitare që pretendon Thaçi, dhe është e hapur për diskutim.
Ne reaguam për të korrigjuar atë që neve na u duk qëndrim i gabueshëm. Por mendojmë se ky debat tashmë është i mbyllur, pasi vetë z. Rama e pranoi se ai është një person që nuk fal as det e as tokë, dhe kjo është pikërisht ajo çka ne presim prej tij e prej çdo politikani shqiptar. Deti e toka e shqiptarëve janë të dyja njësoj të rëndësishme, dhe janë çështje e sovranitetit të jashtëm kombëtar, dhe si të tilla, nuk i përkasin politikanëve, por popullit. Andaj mendoj se asnjë politikan nuk duhet të falë as det e as tokë.
Nga reagimet e autoriteteve të Malit të Zi dhe SHBA-ve e BE-së duket se nuk është temë e pëlqyeshme rihapja e përmbajtjes së marrëveshjes së demarkacionit. A besoni se komisioni që emëroi Kryeministri Haradinaj me ekspertët që e kundërshtonin demarkacionin, do të ketë kurajën ta mbrojë qëndrimin para partnerëve ndërkombëtarë?
Temë e pëlqyeshme për ta mund të mos jetë, sepse sigurisht që janë të interesuar ta mbyllin sa më shpejt këtë çështje. Por këtu bëhet fjalë për territor të Kosovës, dhe ne nuk mund të lejojmë që shpejtësia të jetë në kurriz të drejtësisë.