“Aktivistët e VV sulmin në Kuvend e kryen me mjete të sofistikuara”
Prokuroria Speciale megjithëse i akuzon për terrorizëm aktivistët e VV’së, të enjten ka prezantuar në gjykatë prova për shumicën e të cilave thotë se janë shfajësuese për ta.
Megjithatë nuk ka hequr ende dorë nga akuza se ata kryen sulmin e 4 gushtit 2016 ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës duke thënë se sulmi është kryer me mjete të sofistikuara.
Deputeti dhe tre aktivistët tjerë të VV’së u mbrojtën në heshtje.
Abdurrahim Islami, prokurori special që për një vit akuzon katër aktivistë të VV’së, njeri prej tyre tash deputet, si kryes të sulmit me zollë ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, verën e vitit që shkoi, të enjten në gjykatë ka pranuar se shumica e provave që administron, e që të gjitha i prezantoi në seancë janë shfajësuese për katër të akuzuarit për terrorizëm.
Megjithatë, ai tregohet i bindur në dyshimet e tija se Frashër Krasniqi, Egzon Haliti, Atdhe Arifi dhe Adea Batusha kanë kryer sulmin e 4 gushtit.
“Prokuroria në këtë rast, deklaron se në shumicën e raporteve, nuk është zbuluar ndonjë provë që do t’i lidhte drejtpërdrejt të akuzuarit me rastin”, ka thënë prokurori special në seancë.
Tutje ai i tha gjykatës se lidhja e provave me të akuzuarit nuk u arrit të dëshmohet pasi që sipas tij deputeti i VV’së dhe tre aktivistet tjerë të akuzuar përdoren mjete të sofistikuara gjatë kryerjes së sulmit terrorist.
“Në një mënyrë, të gjithë të akuzuarit me rastin e kryerjes së veprës penale kanë përdorur mjete të sofistikuara dhe gjitha masat tjera preventive, duke filluar nga dorëzat, kapelat, helmetat, etj.”, tha Islami.
Ky prokuror, gjatë seancës të së enjtes, e cila nisi me gati një orë vonesë, e ndërkohë u ndërpre për një orë tjetër për shkak të ndaljes së rrymës, ka prezantuar të gjitha provat e tij për administrim në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Arma anti-tankë me të cilën u krye sulmi, një çantë kitareje më të cilët pohon se u bart zolla, motoçikleta gjysmë e djegur që u gjet në lagjen ‘Taukbashqe’ të Prishtinës, gati një orë pasi ndodhi ngjarja, letra me numra të telefonit që u gjet në afërsi të motoçikletës, fotografi të shisheve me materie djegëse që po ashtu u gjeten në afërsi të motoçikletës, një mbetje cigareje, një pallomë e bardhë e përdorur, pamje të kamerave të sigurisë, e shumë materiale tjera, përmendi prokurori si prova që administron, e që ia prezantoi gjykatës, para se ai dhe mbrojtësit ta thonë fjalën e tyre përfundimtare.
“Si provë materiale është prezantuar edhe regjistrimi i thirrjeve telefonike, disa prej të cilave biseda dyshohet se janë të lidhura me sulmin në Kuvend”, tha Prokurori, derisa prezantoi një CD me audio-përgjime telefonike që u janë bërë të akuzuarve me urdhër të gjykatës, gjatë periudhës hetimore të rastit.
E pikëshit këtë CD, sikurse edhe një pjesë të albumeve, ndonëse i prezantoi si prova të administruara, Prokuroi i Prokurorisë Speciale deri më sot nuk ua kishte dorëzuar as trupit gjykues e as avokatëve mbrojtës.
Prokuroi në seancë tha edhe se disa nga pajisjet elektronike që janë sekuestruar nga të akuzuarit gjatë arrestimit të tyre në fund të gushtit 2016 nuk kanë mundur të ekzaminohen nga forenzika, pasi kanë qenë të koduara.
Abdurrahim Islami, në gjykatë foli edhe për raportin e FBI’së, për të cilin konsideroi se është përfolur mjaft në media, duke kundërshtuar se ka vërtetuar fajësinë e të akuzuar.
Ai tha se raporti në fjalë vetëm ka vërtetuar se imazhet që janë nxjerrë nga kamerat e sigurisë së institucioneve dhe lokale që ndodhen përreth objektit të Kuvendit të Kosovës, nuk kanë qenë të favorshme për krahasim apo analizim të tyre.
“Ajo çka bën me dije në rastin konkret është se incizimet e nxjerra kanë qenë nga kamera jocilësore, dhe po ashtu incizimet janë bërë në orë të mbrëmjes”, tha prokurori special.
Mbrojtësit e katër të dyshuarve, konsideruan se edhe vetë prokuroi pranoi se nuk ka dëshmi që inkriminojnë në sulmin e gushtit të vitit të kaluar klientët e tyre.
“Prokurori nuk ka siguruar asnjë fakt apo provë me të cilën vërtetohet se ekziston së paku dyshimi mirë i bazuar se klienti im Frashër Krasniqi dhe të akuzuarit tjerë kanë kryer veprën për të cilën janë akuzuar”, ishte dukë thënë avokati Tomë Gashi, që mbron deputetin e VV’së, derisa u ndërpre rryma në sallë, për të quar seancën në pauzë një orësh.
“Provat vetëm dëshmojnë se ka ndodhur një sulm në objektin e Kuvendit, por asnjë prej tyre nuk dëshmojnë se ndërlidhen të akuzuarit me veprimin”, tha Emrush Kastrati, që mbron Egzon Halitin.
Avokati Kastrati tutje ka kërkuar nga gjykata që të mos i marrë parasysh fare ato prova që administron Prokuroria Speciale e Kosovës.
Pas përfundimit të procedurës së administrimit të provave, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të katër të akuzuarit u mbrojtën në heshtje.
“Duke qenë se ky proces ka qenë prej fillimi i ndikuar politikisht, unë nuk pranoj të deklarohem para këtij trupi gjykues”, tha deputeti i VV’së i akuzuar për terrorizëm, Frashër Kransiqi.
Seanca e ardhme u caktua më 13 nëntor 2017, pasi Prokuroi Special nuk ishte i gatshëm që të enjten të japë fjalën e tij përfundimtare. Përveç tij, në seancën e ardhshme fjalën përfundimtare e kanë edhe mbrojtja e të akuzuarve, për t’i hapur rrugë shpalljes së aktgjykimit nga trupi gjykues.
Arifi dhe Adea Batusha kanë përdorur mjete të sofistikuara gjatë kryerjes së sulmit. Këto prokurori i ka thënë në seancën gjyqësore, e cila po vazhdon në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku prokurori po prezanton provat që i administron. Gjatë prezantimit është evidentuar se Prokurori Special disa nga provat ende nuk i ka dorëzuar në Gjykatë për administrim.